Turi “ Dialog me Shqipërinë” i kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama është ndalur në fshatrat Manzë e Borizanë të qarkut të Durrësit. Gjatë takimit me banorë të fshatit Manëz,  Rama është shprehur se varfëria është fakti më shqetësues për këto zona që sipas tij nuk kanë vëmendjen e qeverisë. Duke iu referuar shifrave zyrtare të rritjes ekonomike, kryesocialisti ka ironizuar duke thënë se ato janë larg realitetit.

Edi Rama: “Ju i dini shifrat zyrtare të Sali Berishës. E dëgjuat parmbrëmë kur nxori njërin atje që tha kemi rritje ekonomike më të madhe se Kina, Franca, Gjermani, Anglia, Italia, Brazili, India. Shohin se si Kina zhvillohet më shpejt se  ata, Kina ndërkohë qenka duke na gërmuar ne. Sepse në Shqipërinë e Sali Berishës paska një rritje ekonomike më të madhe se në Kinë. Ndërkohë që në Shqipërinë e Sali Berishës jetohet shumë më keq, vit pas viti dhe pagat apo pensionet rriten njëherë, çmimet rriten 3 herë. Dhe kështu sot pyetja e të gjithë shqiptarëve është pse jetojmë më keq se dje?”

Kryetari i partisë Socialiste është shprehur se ka ardhur koha e një bashkimi të ri mes qytetarëve, larg ndasive të politikës së vjetër.

Edi Rama: “Nuk kam dalë nëpër Shqipëri dhe nuk kam takuar me dhjetëra mijëra njerëz si ju, si unë. Për t’iu premtuar atë që nuk bëhet, por kam dal për ti dëgjuar dhe për ti kuptuar se çfarë mund të bëjmë së bashku. Prandaj këto janë zgjedhjet tuaja, prandaj këto janë zgjedhjet e çdo prindi që nuk do që familja e tij të vazhdojë të jetë në këtë gjendje. Prandaj këto janë zgjedhjet e çdo të riu që nuk do që të vazhdojë të vijë vërdallë këtu pa asnjë perspektivë. Duke parë ëndrra vetëm se si të marri arratinë. Prandaj këto janë zgjedhjet e çdo nëne që nuk do që ta lëri fëmijën pa shkollë për shkak mungesës së mundësive për të çuar në shkollë. Këto janë zgjedhjet e çdo të moshuari që nuk do të ketë fatin e atyre që po ndahen nga jeta pa parë një ditë të bardhë.”

Më pas në takimin me banorë të fshatit Borizanë Rama ka nënvizuar se komunikimi me qytetarët ka si qëllim gjetjen e rrugëve që do të ngjallin më shumë besim tek e ardhmja./tvklan.al