Kule: Foshnja 2 muajshe u infektua nga e ëma

Një fëmijë vetëm 2 muajsh është pacienti me moshën më të vogël i infektuar nga koronavirusi në vendin tonë. Foshnja është shtruar në  Shërbimin Infektiv Pediatrik, në Qendrën Spitalore Universitare Nënë Tereza, pasi ka shfaqur simptoma. Ai është infektuar nga mamaja e tij dhe është rasti i parë që hospitalizohet. Shefja e Shërbimit të Pediatrisë, Xhorxhina Kule, informoi sot se gjendja e foshnjes është e stabilizuar.

“Parmbrëmë është hospitalizuar një fëmijë i moshës 2 muajsh, i cili ka rezultuar i infektuar nga Covid-19, me shenja të sëmundjes dhe një bronkopneumoni, pa insuficencë respiratore. Në ndjekjen që i kemi bërë dhe në marrjen e tamponit dje të nënës, ka rezultuar edhe nëna pozitive. Janë në trajtim të dy palët dhe në observim dhe në mbikëqyrje nga mjekët pediatër në bashkëpunim me infeksionistët e të rriturve. Deri në këto momente që flasim gjendja është e stabilizuar. Që mbrëmë, të dy nuk kanë referuar shifra të larta temperature, pra temperatura është nën kontroll. Vazhdojnë marrjen e  mjekimit dhe plotësimin me ekzaminimet e tjera laboratorike.”

Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit në vendin tonë janë infektuar 110 fëmijë, por asnjëri nuk ka patur nevojë për hospitalizim. Shumica kanë qenë asimptomatikë dhe janë shëruar. Vetëm 25% e fëmijëve janë ende aktivë me Covid-19.

“Rreth 110 fëmijë janë pozitivë, në vlerë akumulative që nga Marsi, 25 përqind janë aktivë, pjesa tjetër janë negativizuar, por asnjë nga këta, përveç rastit që përmendëm, nuk është i hospitalizuar dhe nuk ka pasur shenja të sëmundjes që këna kërkuar hospitalizim”.

Tv Klan