Zbulohet e shkuara e tij

Mariglen Deva është 26-vjeçari që humbi jetën ditën e sotme në aksidentin e ndodhur në Borizanë në aksin rrugor Fushë Krujë-Kurbin. I riu është me origjinë nga Fushë Kruja dhe një emër i njohur për policinë.

Vetëm 3 vjet më parë ai u arrestua së bashku me 3 persona të tjerë për vjedhje makinash. Në atë kohë ishte pikërisht Mariglen Deva, i cili u kap në flagrancë teksa po vidhte një makinë në Tiranë. Pranë tij ishin bashkëpunëtorët, të cilët e prisnin në një makinë afër vendit të ngjarjes.

Nga hetimet e kryera në 2017-n, Mariglen Deva dhe bashkëpunëtorët e tij vinin në Tiranë me një makinë, më pas bënin shënjestrimin e automjetit që donin të grabisnin, i thyenin xhamin e pasmë dhe duke bërë zëvendësimin e çentralinës bënin ndezjen e automjetit.

Automjetet që vidhnin i shisnin në 2 pika skrapi përkundrejt shumave monetare nga 500 deri në 1000 euro.

Mariglen Deva humbi jetën mëngjesin e sotëm pas aksidentit në Borizanë. Policia njoftoi se mjeti tip “Audi” ku ai udhëtonte si pasagjer humbi kontrollin duke u përplasur me bordurën anësore. Plagët ishin të rënda për Devën që humbi jetën menjëherë, ndërsa shoferi i makinës u dërgua në spital.

Brenda makinës u gjetën 2 palë targa, maska e doreza. Paraprakisht, dyshohet se makina është vjedhur në Milot./tvklan.al

Pamje nga aksidenti i sotëm dhe operacioni i vitit 2017 që çoi në arrestimin e tij
Pamje nga aksidenti i sotëm
Pamje nga operacioni i vitit 2017