Mazhoranca vendosi me shumicë votash të mos e dërgojë në Gjykatën Kushtetuese çështjen e mandatit të deputetes Olta Xhaçka. Në emër të opozitës, Gazment Bardhi e cilësoi këtë një ditë të zezë, ndërsa tha se Gjykata Kushtetuese u asgjësua me votën e PS-së në Kuvend.

“Sot Gjykata Kushtetuese u asgjësua me votë të PS-së në Kuvend. Çdo qytetar që në këtë moment është duke zbatuar një vendim gjykate i lind e drejta të mos zbatojë. Nëse Olta Xhaçka nuk zbaton vendimin e Gjykatës Kushtetuese për çfarë do duhet shqiptarët të zbatojnë një vendim të gjykatave të zakonshme”, 

Deputetja Xhaçka ishte e pranishme në momentin e votimit, por nuk votoi. Më herët ajo i cilësoi shpifje akuzat e ngritura nga opozita.

“Shpifje…Unë dhe familja ime nuk kemi përfituar asnjë qindarkë nga fondet publike! Zero! Asnjë centimetër katror truall shtetëror! Zero! Asnjë lehtësi procedurialet e ndryshme nga të tre të tjerët. Zero! Dhe e dini çfarë është përfitimi nga statusi i investitorit strategjik të asistuar nëse duhet apo s’duhet të vërë shezlonet në plazh kur investimi të ketë përfunduar, kushedi se kur…”

Prerazi mohoi që kompania e bashkëshortit të saj të jetë favorizuar për dhënien e statusit të investitorit strategjik për ndërtimin e një objekti turistik në Himarë.

“As nga unë, as nga bashkëshorti im, as nga shteti që i ka dhënë një status aspak ekskluziv, po tërësisht ligjor njësoj si dhjetra e dhjetra sipërmarrje të tjera, sipërmarrjes ku im shoq është pjesë, me një investim 100% privat dhe të mbështetur në një dokumentacion 100% transparent dhe të verifikueshëm pa asnjë vështirësi, nuk është shkelur asnjë ligj dhe nuk është bërë asnjë paligjshmëri apo favorizim i veçantë. Bashkëshorti im vendosi të bëjë një investim jo në tokë  të falur nga kryeministër, por në truall privat të blerë nga pronarë privat në zona ku regjistrimi i tokave është i papërfunduar.”

Demokratëve, me të cilët replikoi gjatë seancës plenare u kujtoi se Kushtetuesja e ka pushuar çështjen ndaj saj që në janar të vitit të kaluar.

“Jam menduar ta lë mandatin, sot Kuvendi s’ka ça voton fare se çështjen time GJK e ka pasur e ka shqyrtuar dhe e ka pushuar me vendim.”

Sipas ish-Ministres së Jashtme, kompania e bashkëshortit të saj ka përfituar në mënyrë ligjore një nga 1500 kontratat e përvitshme të qerasë për sipërfaqen e plazhit për parahotelit.

Kuvendi votoi me 73 vota pro për ngritjen e Komisionit të Dezinformimit, 7 deputetë votuan kundër dhe asnjë nuk abstenoi. Komisioni i Dezinformimit do të mbikqyrë ndikimet e huaja “malinje” në mediat shqiptare apo financime nga vende jo mike në politikë dhe parti të ndryshme. Ajo që ra në sy në seancën e kësaj të enjteje ishte drejtimi për herë të parë që prej janarit të vitit 2022 të seancës nga nënkryetari demokrat Agron Gjekmarkaj.

Klan News