“Kryeqyteti shqiptar mikpriti drejtuesit më të lartë të policive, anëtare të Interpol. Konferenca e 51 e organizatës më të madhe policore mbahet për herë të parë në vendin tonë.”

Takimi mes rreth 200 pjesëmarrësve do të zgjasë deri të enjten, dhe në fokus ka rritjen e bashkëpunimit mes agjencive ligjzbatuese. Fokusi i kësaj konference është lufta ndaj krimit të organizuar dhe bllokimi i aseteve me prejardhje kriminale.

“1.7 trilione dollarë amerikanë janë të ardhura të përfituara nga krimi që janë kapur nga sistemi çdo vit. Kjo na jep të dhëna sa të pasur janë këto grupe kriminale. Shpresojmë që të gjitha vendet anëtare të Interpol të jenë aq aktive sa është Shqipëria dhe policia e Shtetit në shkëmbimin e informacionit në çmontimin e grupeve të organizuara kriminale. Të bëhet shkëmbimi i informacionit mes policive në lidhje me kriminelët që kanë aktivitet në disa vende që u fshihen prokurorëve dhe bëjnë pastrim parash, pasi ky është problem i madh.”

Ministri i Brendshëm Taulant Balla, i cili vuri theksin tek besueshmëria që ka krijuar Shqipëria tek INTERPOL, tha se është hartuar një ligj që parashikon bashkëpunimin me agjencitë e huaja për asetet kriminale.

“E theksoj angazhimin tonë për t’i shkuar në fund parimit ndiq paratë. Në ditët në vijim ne do të kalojmë në qeveri projektligjin për ngritjen e zyrës së rikuperimit të aseteve që do të jetë një instrument i shkëlqyer për të bashkëpunuar qoftë me interpolin apo agjensitë  e vendeve partnere për ta ndëshkuar krimin aty ku i dhemb më shumë.”  

Nga ana tjetër presidenti i INTERPOL, Ahmed Naser Al-Raisi, vlerësoi rolin e Shqipërisë si pjesë e organizatës. Sipas tij, vendi ynë është shembull i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar.

“Që nga koha kur është anëtarësuar, më 4 Nëntor 1991, Shqipëria ka qenë një pjesëmarrëse aktive në të gjithë përpjekjet tona, bashkëpunuese, kolektive. Angazhimi i tyre në operacion është një shembull shumë i mirë i bashkëpunimit ndërkombëtar. Pjesëmarrja e Shqipërisë reflekton vlerat e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe rrit sigurinë kibernetike.”

Në kuadër të konferencës që po mbahet në Tiranë, kreu i INTERPOL takoi edhe presidentin Bajram Begaj. Presidenti i Republikës vlerësoi dhe inkurajoi vijimësinë e bashkëpunimit mes Interpol dhe Policisë së Shtetit.

Klan News