Presidenti i Kubës, Miguel Diaz-Canel ka arritur në Moskë për t’u takuar me presidentin rus, Vladimir Putin dhe zyrtarë tjerë, në përpjekje për të përmirësuar marrëdhëniet, pasi të dyja vendet, që kanë qenë aleate në kohën e Luftës së Ftohtë kanë tensionuar lidhjet me Uashingtonin.

Diaz-Canel, i cili është emëruar në këtë pozitë nga paraardhësi i tij, Raul Castro, pritet të takohet me Putinin në Kremlin më sot (2 Nëntor), në kuadër të vizitës së tij triditore.

Vizita e liderit të Kubës ka ardhur në kohën e rritjes së tensioneve me Shtetet e Bashkuara.

Në kohën e udhëheqjes së presidentit amerikan, Barack Obama, Uashingtoni pati normalizuar marrëdhëniet me Havanën.

Mirëpo nga Janari i vitit 2017, presidenti aktual i SHBA-së, Donald Trump ka tërhequr shumë hapa të bërë nga Obama.

Më 1 nëntor, Shtëpia e Bardhë e ka cilësuar Kubën, së bashku me Venezuelën dhe Nikaraguan si “trojkë të tiranisë” dhe ka njoftuar për sanksione të reja ekonomike kundër të trija shteteve, të cilat edhe më parë kanë qenë shënjestër e ndëshkimeve amerikane.

Ndërkohë, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara ka kundërshtuar rezolutën e SHBA-së që kishte për qëllim kritikimin e shkeljeve të të drejtave të njeriut në Kubë dhe ka dënuar ndëshkimet ekonomike të SHBA-së ndaj kombit me 11.5 milionë banorë.

Havana është konsideruar vend i afërt me Moskën gjatë periudhës së Luftës së Ftohtë, mirëpo këto marrëdhënie janë dobësuar pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik më 1991, meqë Rusia nuk ka qenë më në gjendje të ofrojë ndihmë financiare.

Kuba është udhëhequr për 52 vjet nga Fidel Castro, i cili ka forcuar lidhjet me ish-Bashkimin Sovjetik, ashtu që të luftojë ndikimin amerikan.

Putin ka vizituar Kubën në vitin 2000 dhe 2014, në kuadër të përpjekjeve për të rikthyer marrëdhëniet e ngrohta me kombin komunist.

Zyrtarët rusë kanë nënshkruar së fundmi disa kontrata për të modernizuar ambientin energjetik në Kinë dhe fabrikat e metalit.

Ndërkohë marrëdhëniet në mes të Moskës dhe Perëndimit janë përkeqësuar në nivelin e kohës pas Luftës së Ftohtë për shkak të aneksimit të Krimesë nga Ukraina më 2014, rolin e saj në luftërat në Siri dhe lindje të Ukrainës dhe për supozimet se ka ndërhyrë në zgjedhjet e SHBA-së dhe Evropës, pa harruar edhe helmimin e ish-agjentit Sergei Skripal dhe vajzës së tij Yulia në Britani në muajin Mars./REL