Raportim Live

Irani refuzon marrëveshjen me SHBA-të: Nuk mjaftojnë premtimet në letër

Irani nuk do të rikthehet në negociata diplomatike me Shtetet e Bashkuara në bazë të premtimeve në letër, por kërkon prova konkrete përmes veprimeve nga Uashingtoni.

Kështu deklaroi Ali Bagheri Kani, zëvendëssekretar i Këshillit të Lartë të Sigurisë Kombëtare të Iranit, duke akuzuar SHBA-të se kanë shkelur angazhimet e saj dhe kanë sabotuar të katër raundet e negociatave gjatë 18 muajve të fundit. Sipas tij, vetëm pasi Irani të shohë hapa konkretë nga pala amerikane, mund të krijohen kushtet për hapjen e një kapitulli të ri në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Bagheri Kani foli gjithashtu për takimin treorësh të kreut të Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Mohsen Rezaei, me presidentin rus Vladimir Putin, të zhvilluar të enjten. Ai tha se qëllimi kryesor i takimit ishte përcjellja e një mesazhi nga udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, ku përcaktoheshin prioritetet e Teheranit për bashkëpunimin dypalësh me Moskën.

Katari ndërhyn për të frenuar përshkallëzimin në Lindjen e Mesme, emiri telefonon Trump

Emiri i Katarit, Tamim bin Hamad Al Thani, ka zhvilluar një bisedë telefonike me presidentin amerikan Donald Trump, ku në fokus ishte ulja e tensioneve në Lindjen e Mesme.

Sipas një njoftimi të qeverisë së Dohas, dy liderët diskutuan përpjekjet diplomatike dhe rolin ndërmjetësues të Katarit për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse me Iranin. Synimi është t’i jepet fund krizës rajonale dhe të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i konfliktit.

Gjatë bisedës, emiri theksoi rëndësinë e garantimit të lirisë së lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, një korridor kyç për transportin ndërkombëtar të naftës. Ai nënvizoi gjithashtu nevojën për të siguruar furnizimet me energji dhe për të ruajtur stabilitetin në rajon.

download app

Arabia Saudite rrëzon dy raketa balistike të rebelëve Houthi

Mbrojtja ajrore e Arabisë Saudite ka rrëzuar dy raketa balistike të lëshuara nga rebelët Houthi të Jemenit, të cilat kishin si objektiv qytetin saudit të Najranit.

Lajmi u bë i ditur nga koloneli Turki al-Malki, zëdhënës i koalicionit të udhëhequr nga Riadi, i cili lufton kundër lëvizjes së mbështetur nga Irani. Sipas tij, raketat u interceptuan përpara se të arrinin objektivin.

Si pasojë e ndërhyrjes, në zonë kanë rënë mbetje nga raketat e shkatërruara. Autoritetet kanë nisur vlerësimin e dëmeve të mundshme.

Dy anije nafte marrin flakë në Hormuz, goditen nga minat

Dy anije cisternë nafte kanë marrë flakë në Ngushticën e Hormuzit, pasi dyshohet se kanë goditur mina gjatë përpjekjes për të kaluar nëpër rrugë detare të paautorizuara.

Lajmi është bërë i ditur nga agjencia iraniane Tasnim, pranë Gardës Revolucionare, sipas së cilës anijet kishin fikur sistemet e navigimit dhe identifikimit përpara se të tentonin kalimin, me mbështetjen e forcave amerikane.

Sipas agjencisë, pas shpërthimeve të shkaktuara nga minat, të dyja anijet morën flakë dhe u ndalën. Garda Revolucionare ka përsëritur paralajmërimin se Ngushtica e Hormuzit mbetet e mbyllur dhe se nuk do të ketë ndryshim të situatës pa u plotësuar shtatë kushtet e vendosura nga Teherani në negociatat me Shtetet e Bashkuara.

Autoritetet iraniane paralajmërojnë se çdo përpjekje e marinës amerikane për të detyruar cisternat të kalojnë në zona të paautorizuara dhe të minuara do të përfundojë me dështim.

A do japin dorëheqjen Rubio dhe Hegseth? Vjen reagimi i Shtëpisë së Bardhë

Shtëpia e Bardhë ka mohuar zërat për largimin e mundshëm të Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth, dhe Sekretarit të Shtetit, Marco Rubio, pas humbjes së republikanëve në zgjedhjet e mesit të mandatit në SHBA.

Mediat amerikane kanë raportuar se brenda administratës Trump po shtohen thirrjet për ndryshime në kabinet, ndërsa dy zyrtarët e lartë janë përfshirë në diskutimet për përgjegjësinë e humbjes së thellë elektorale të republikanëve. Lexo më shumë

OKB: 377 sulme të kolonëve izraelitë ndaj palestinezëve në Bregun Perëndimor

Të paktën 377 sulme nga kolonët izraelitë ndaj palestinezëve dhe pronave të tyre janë regjistruar që prej shtatorit, gjatë sezonit të vjeljes së ullinjve në Bregun Perëndimor.

Shifra është bërë e ditur nga zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarric, i cili theksoi se ky është numri më i lartë i regjistruar që prej nisjes së monitorimit në vitin 2006. Sulmet kanë shkaktuar vdekjen e një palestinezi dhe plagosjen e më shumë se 200 personave.

Gjithashtu, mbi 3.850 pemë ulliri dhe fidanë janë dëmtuar ose shkatërruar. OKB-ja raportoi se dhjetëra palestinezë janë detyruar të largohen nga banesat e tyre, pasi kolonët izraelitë kanë pushtuar disa shtëpi në zonën e Isteihut, pranë Jerikos.

Irani pretendon se rrëzoi dronin e pestë amerikan

Garda Revolucionare e Iranit pretendon se ka rrëzuar dronin e pestë amerikan të zbulimit mbi ishullin Qeshm.

Sipas mediave shtetërore iraniane, forcat ajrore të Gardës Revolucionare Islamike njoftuan gjatë natës se kishin goditur një dron amerikan të tipit MQM-170. Operacioni thuhet se është kryer duke përdorur sisteme të sofistikuara të luftës elektronike.

Ky është droni i pestë amerikan për të cilin Irani pretendon se ka rrëzuar. Megjithatë, siç shkruan Iran International, pretendimi nuk është verifikuar në mënyrë të pavarur.

OKB dërgon ndihma të reja humanitare në Gaza

Ndihma të reja humanitare kanë hyrë në Rripin e Gazës, pavarësisht kufizimeve të vazhdueshme të vendosura nga autoritetet izraelite.

Kombet e Bashkuara bëjnë me dije se kanë dërguar karburant, ushqime dhe më shumë se 260 paleta me ilaçe, vaksina dhe produkte ushqimore për fëmijë. Sipas OKB-së, mbi 250 organizata humanitare po u ofrojnë ndihmë më shumë se dy milionë personave çdo muaj, kryesisht në Rripin e Gazës.

Megjithatë, organizata thekson se sasia e ndihmave që arrin të hyjë në territor mbetet e kufizuar në raport me nevojat e popullsisë. OKB-ja paralajmëron se nevojat humanitare në Gaza vijojnë të jenë shumë më të mëdha se ndihmat që mund të sigurohen.

Trump kërcënon Iranin: Mund të detyrohemi ta shkatërrojmë

Presidenti amerikan Donald Trump ka kërcënuar sërish Iranin, duke lënë të hapur mundësinë e shkatërrimit të pjesës së mbetur të vendit.

“Duhet të vendosim nëse do ta përfundojmë atë që kemi nisur, në mënyrë që kjo të mos ndodhë më kurrë”, deklaroi Trump para gazetarëve në Zyrën Ovale.

Ai tha se do të preferonte të mos shkatërronte pjesën tjetër të Iranit, nëse kjo do të ishte e mundur. Megjithatë, kreu i Shtëpisë së Bardhë paralajmëroi se mund të detyrohet të ndërmarrë një veprim të tillë. “Do ta merrni vesh shumë shpejt vendimin”, përfundoi Trump.

Lufta| Trump kërcënon sërish Iranin: Mund të detyrohemi ta shkatërrojmë