Delegacioni i SHBA-ve do të niset drejt Pakistanit për bisedime me Iranin

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, tha se Shtetet e Bashkuara do të dërgojnë një delegacion në Pakistan këtë fundjavë, ndërsa ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pritet po ashtu të shkojë në Islamabad.
Leavitt u tha gazetarëve se i dërguari i posaçëm i presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, dhe dhëndri i presidentit, Jared Kushner do të udhëtojnë për një rund të ri negociatash me Teheranin më 25 prill, duke theksuar se Uashingtoni ka parë “disa përparime” nga pala iraniane ditët e fundit.
Araqchi pritet të mbërrijë në Islamabad më 24 prill për bisedime që, sipas raportimeve, do të përfshijnë konsultime mbi propozime për rinisjen e negociatave të paqes me Shtetet e Bashkuara.
Ekipet amerikane dhe iraniane zhvilluan bisedime paqeje në kryeqytetin e Pakistanit më 11-12 prill, por ato përfunduan pa marrëveshje, ndërsa një rund i dytë që pritej të mbahej më herët gjatë kësaj jave, nuk u realizua.
Zëdhënësja Leavitt tha se nënpresidenti i SHBA-ve, JD Vance, i cili udhëhoqi ekipin amerikan më 11-12 prill, këtë herë nuk do të drejtojë delegacionin amerikan. Ajo shtoi se Vance do të qëndrojë në “gatishmëri” në SHBA dhe “do të jetë i gatshëm të udhëtojë drejt Pakistanit nëse e vlerësojmë se do të jetë e nevojshme”. (Lexo më shumë)
Trump: SHBA tani “po merret me njerëzit që janë në pushtet” në Iran
Presidenti amerikan thotë se Teherani dëshiron të bisedojë dhe të shohë nëse mund të arrihet një marrëveshje.
Donald Trump deklaroi se zyrtarët amerikanë “po merren me njerëzit që janë aktualisht në pushtet”. Ai gjithashtu tha se Irani planifikon të bëjë një ofertë që do të përmbushë kërkesat e SHBA-së.
Lajmi për komentet e presidentit doli pikërisht në momentin kur ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, mbërriti në Islamabad për etapën e parë të misionit të tij diplomatik në tre vende, ku pritet të përfshihet në negociata sonte.
Emiri i Katarit, Sheikh Tamim, diskuton armëpushimin Iran–SHBA me Trump

Emiri i Katarit, Sheikh Tamim bin Hamad Al Thani, ka diskutuar zhvillimet lidhur me marrëveshjen e armëpushimit midis Uashingtonit dhe Teheranit gjatë një telefonate me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump.
“Katar do të vazhdojë koordinimin me partnerët për të mbështetur përpjekjet e ndërmjetësimit të udhëhequra nga Pakistani”, tha Sheikh Tamim.
Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar për Reuters se Irani po përgatit një propozim që synon të përmbushë kërkesat e Shteteve të Bashkuara për zgjidhjen e çështjeve mes dy vendeve. “Po bëjnë një ofertë dhe ne do të duhet ta shohim”, është shprehur Trump gjatë një interviste telefonike.
Delegacioni iranian në Islamabad, takime me drejtuesit e lartë të Pakistanit për stabilitetin rajonal
Ministria e Jashtme e Pakistanit ka njoftuar se një delegacion iranian do të zhvillojë takime me drejtues të lartë të vendit.
Sipas deklaratës zyrtare, delegacioni i kryesuar nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka mbërritur në Islamabad.
Ministria bëri të ditur se delegacioni do të takohet me zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm të Pakistanit, Ishaq Dar, shefin e ushtrisë Asim Munir, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë, për të diskutuar zhvillimet e fundit rajonale dhe “përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe stabilitet në rajon”.
Në deklaratë nuk përmendet mundësia e takimeve mes Araghchi dhe zyrtarëve amerikanë që pritet të mbërrijnë në Islamabad të shtunën.
Çfarë po zien në rajon? Araghchi në Pakistan për bisedime urgjente

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Pakistanit, Tahir Andrabi, ka konfirmuar se ministri i Jashtëm iranian Abbas Araghchi ka mbërritur në Islamabad. Në një postim në platformën X, ai njofton se diplomati i lartë iranian është pritur nga zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm Ishaq Dar, shefi i ushtrisë dhe forcave të mbrojtjes Field Marshal Asim Munir, si dhe zyrtarë të tjerë të lartë.
Sipas Andrabit, gjatë vizitës ministri i Jashtëm iranian do të zhvillojë takime me lidershipin pakistanez për të diskutuar zhvillimet e fundit në rajon, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për paqe dhe stabilitet rajonal.
Zëvendësohet statuja e Jezu Krishtit në Libanin jugor pas incidentit me ushtar izraelit
Një statujë e Jezu Krishtit në një fshat në Libanin jugor është zëvendësuar pasi u raportua se një ushtar izraelit është fotografuar duke e dëmtuar atë.
Sipas autoriteteve, paqeruajtësit italianë kanë ndërhyrë dhe e kanë zëvendësuar statujën gjatë ditës së sotme.
Ndërkohë, Izraeli ka kërkuar falje për incidentin dhe ka vendosur dy ushtarë në ndalim disiplinor. Gjithashtu, gjashtë ushtarë të tjerë janë marrë në pyetje në lidhje me ngjarjen. Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e ka cilësuar incidentin si “krejtësisht në kundërshtim me vlerat që priten nga ushtria izraelite”.
Papa Leo XIV: Të promovohet kultura e paqes, jo urrejtja dhe ndarja

Papa Leo XIV ka bërë thirrje për rikthim në dialog mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, me qëllim përfundimin e konfliktit dhe uljen e tensioneve.
Duke folur për mediat gjatë një udhëtimi zyrtar, Papa theksoi se debati nuk duhet të fokusohet te ndryshimi i regjimit në Iran, por te mënyrat për të promovuar vlera që shmangin viktimat civile.
“Si bari shpirtëror, nuk mund të jem në favor të luftës. Dua të inkurajoj të gjithë të kërkojnë zgjidhje që vijnë nga një kulturë paqeje dhe jo urrejtjeje e ndarjeje”, u shpreh ai.
Papa Leo XIV u ndal edhe te çështja e ekzekutimeve në Iran, duke deklaruar se dënon çdo veprim të padrejtë, përfshirë edhe dënimin me vdekje.
“Unë dënoj marrjen e jetës së njerëzve. Besoj se jeta njerëzore duhet respektuar dhe mbrojtur nga ngjizja deri në vdekje natyrore”, tha Papa.
SHBA-të kanë vendosur sanksione të reja ndaj Iranit dhe ka lëshuar një licencë të përgjithshme që lejon mbylljen graduale të marrëveshjeve me kompaninë kineze Hengli Petrochemical (Dalian) Refinery Co, sipas Reuters duke cituar Departamentin Amerikan të Thesarit. Masa u jep mundësi palëve të përfundojnë në mënyrë të rregullt kontratat ekzistuese, ndërsa sanksionet ndaj Iranit mbeten në fuqi.
Netanyahu: Kemi liri të plotë veprimi në Liban!

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu ka deklaruar se Izraeli ruan “lirinë e plotë të veprimit” në Liban, pavarësisht armëpushimit të njoftuar dhe zgjatjes së tij për 3 javë të tjera nga presidenti amerikan, raporton Al Jazeera.
Në një video të publikuar në platformën X, Netanyahu ka dhënë komentet e tij të para pas këtij njoftimi. “Ne po ruajmë lirinë e plotë të veprimit kundër çdo kërcënimi, përfshirë kërcënimet që po shfaqen”, citohet të ketë thënë ai, sipas The Times of Israel. “Ne goditëm dje dhe goditëm edhe sot. Jemi të vendosur të rikthejmë sigurinë për banorët e veriut”, shtoi Netanyahu në deklaratën e tij.












Botërori 2026 
