Manastriliu: Test i shpejtë për personat e dyshuar me Covid

29 qendra shëndetësore do të çelën në 15 Qershor për të shërbyer në zonat turistike. Ministria e Shëndetësisë ka nisur trajnimin e stafeve mjekësore që do të punojnë në këto qendra të cilat do të ofrojnë dhe testimin e shpejtë për Covid-19.

“Në këtë vit do të kemi edhe një shërbim të shtuar në gjithë qendrat shëndetësore verore, që është testimi i shpejtë. Ndaj dhe është duke u realizuar trajnimi, qoftë për sa i përket ndihmës së parë në këto struktura por edhe testimit të shpejtë anti-Covid”.

Manastirliu apeloi nga Lezha qytetarët të vijojnë të zbatojnë rregullat e reja anti-Covid dhe subjektet të zbatojnë protokollet e sigurisë në plazhe, për mbrojtjen e shëndetit.

“Fakti që jemi duke lehtësuar masat për sezonin turistik, por edhe për faktin që pandemia tashmë është në nivele të kontrolluara nuk do të thotë të ulim vigjilencën dhe të mos respektojmë protokollet, të cilat ende janë në funksion dhe për t’u zbatuar nga të gjithë qytetarët dhe gjithashtu rekomandohet që të jemi shumë të kujdesshëm në zbatimin e protokolleve, qoftë sa i përket protokollit të plazheve, qoftë protokollit në bare, restorante, për të  mos lejuar përhapjen e infeksionit”.

Nga strukturat shëndetësore po punohet në disa drejtime, si vaksinimi, hapja e qendrave Verore, dezinfektimi dhe trajnimi i stafeve mjekësore, për një sezon turistik të sigurt.

Tv Klan