Ministri i Jashtëm Osmani: Ne realizuam kushtet, radhën e ka Brukseli

20 vite përpjekje, suksese, dështime dhe shpresë për rrënimin e këtij muri të madh që quhet – fillim I bisedimeve. Mur që u shndërrua jo vetëm në simbol të aspiratave tona evropiane, por edhe në test të kredibilitetit të idesë evropiane në rajon”. Në këtë mënyrë Ministri i Jashtëm Bujar Osmani i dërgoi mesazhe Brukselit duke theksuar se kushedi për të satën herë, vendi ynë përballet me bllokadë dypalëshe të unionit për të zbatuar vendimin e tyre.

 “Në pritje të Ditës së Evropës, më shumë jam I frymëzuar nga të rinjtë, se sa nga korrektësia diplomatike të së cilës duhet t`i referohem. Për këtë arsye sot do të jem preciz dhe i qartë me ju. Ne realizuam, radhën e ka BE-ja që të realizojë premtimin e vet”, tha Osmani.

Me vargje poetike dhe me mesazhe plot emocione, dhjetëra të rinj nga Maqedonia e Veriut sot u bënë thirrje politikanëve nga Bashkimi Evropian të mos lejojnë shpërngulje të mëtejshme të të rinjve nga vendi, duke pritur më kot anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe duke marrë vetëm premtime.

 “Mos lejoni që edhe një gjeneratë të rinjsh të mos e përjetojë ëndrrën evropiane në vendin e vet”, Kire Stojanovski.

 “Ne të rinjtë në këtë ose në atë mënyrë do të jemi pjesë e Bashkimit Evropian, por na lejoni që kjo të ndodhë në vendin tonë, në shtëpi“, Era Memeti.

 “Ne të rinjtë, që jemi rritur me ide dhe vlera evropiane, jemi lodhur me mbështetje dhe motivim deklarativ. Është e nevojshme të shohim aksion dhe vendime reale. Tani është rradha juaj”, Teana Andonovska.

Këtë urim simbolik për Ditën e Evropës, 9 Majin, të rinjtë e dërguan nga foltorja e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Shkup, të cilën Ministri Bujar Osmani tha se do të vazhdojë t`ua lërë në dispozicion të tyre, në një kohë kur nga Brukseli arrijnë informacione të reja demotivuese se Maqedonia e Veriut edhe më tej do të qëndrojë në sallën e pritjes për shkak të vetos bullgare, ndërsa Shqipëria do t’i fillojë negociatat aderuese, e ndarë nga pakoja e përbashkët.

 “A do të mbetemi gjatë në atë proces do të varet nga fakti nëse të gjitha vendet anëtare do të japin mbështetje në fillim të negociatave. Nëse Bullgaria do të tërheqë veton, pa marrë parasysh nëse Shqipëria do t’i fillojë negociatat ose jo. Nënkuptohet se ne dëshirojmë që të dyja vendet të fillojnë menjëherë, kjo do të japë dinamikë të re në rajon, mesazhe të reja, posaçërisht në këto rrethana të non-paperave që përhapen. Mendoj se perspektiva jonë nuk varet nga ajo nëse jemi ose jo në pako. Une mendoj se do të mbetemi në pako edhe për një periudhë”, u shpreh Bujar Osmani.

Osmani sugjeron që sapo në Bullgari të formohet qeveria teknike të vazhdojë komunikimi dypalësh, ndërsa Bashkimi Evropian sa më shpejt që është e mundur të organizojë konferencë ndërqeveritare për fillimin e negociatave aderuese me Maqedoninë e Veriut, sepse siç e interpreton ai – bëhet fjalë vetëm për realizim teknik të vendimit politik të miratuar nga Këshilli i BE-së që në muajin mars të vitit të kaluar.

Klan News