Mazhoranca dhe opozita bien dakord që të zgjasin procesin e regjistrimit të popullsisë

Me muaj të tërë, Kryeministri Zoran Zaev, bindshëm dhe pa asnjë dilemë thoshte se regjistrimi do të mbahet ashtu siç e parasheh ligji.

Disa herë e kam përsëritur dhe përsëri do ta them, regjistrimi do të bëhet me 1 Prill. Nuk mban konstatimi se në kohë pandemie nuk mund të mbahet regjistrimi. Si në kohë pandemie po mblidhen nënshkrime? Si organizuam zgjedhje të suksesshme? Nëse tash heqim dorë prej regjistrimit vijnë zgjedhjet në Vjeshtë, në Pranverë askush nuk mund të garantojë se nuk do të jetë sërish kështu njësoj me numrat e personave pozitiv. Kështu që, duhet ta marrim përgjegjësinë.

Verës nuk bëhet regjistrimi se të gjithë janë në pushime, Shtatori është kampanja, Tetor janë zgjedhjet. Në Nëntor edhe Dhjetor nuk bëhen askund, nuk bëhet regjistrim,” ishte shprehur më parë Kryeministri Zoran Zaev

E pas vetëm një takimi me kreun e opozitës maqedonase, ndërroi mendjen.

“Për shkak të imunizimit të popullatës, mundësisë që regjistruesit të pranojnë edhe vaksinën e dytë, u dakorduam që ta shtyjmë regjistrimin e popullsisë për 5 deri më 30 Shtator.”

Kjo zgjidhje ishte pas kërkesës së VMRO DPMNE-së opozitare, të cilët bënin edhe thirrje publike që mos t’iu hapet dera regjistruesve. E kryetari i partisë, Hristijan Mickoski, doli i kënaqur nga ky takim.

“Pas përfundimit të imunizimit të popullatës, do të ndodh regjistrimi dhe pikërisht për këtë, u dakorduam që i njëjti të shtyhet dhe në vend se të mbahet tani në Prill siç është e planifikuar, të mbahen në Shtator si periudhë e mundshme të jetë 5 deri më 30 Shtator. Aplikacioni me të cilin evidentohet diaspora të mbetet aktive deri në përfundimin e regjistrimit fizik, e zgjedhjet lokale në vend se të mbahen në fillim të Tetorit, të mbahen në pjesën e dytë.”

Zaev tha se gjatë takimit është konsultuar me partitë e koalicionit, përfshirë këtu BDI-në dhe Lëvizjen Besa, të cilët kanë qenë dakord që regjistrimi të shtyhet. I menjëhershëm ishte reagimi i koalicionit ASH-AAA.

“Zaev dhe Mickoski, përmes Ahmetit, i nënçmuan shqiptarët dhe na goditën të gjithëve. BDI, që shtiret si përfaqësues i shqiptareve në Qeveri, sot edhe njëherë̈ e nënçmoi elektoratin e vetë dhe të gjithë̈ shqiptarët. Zoran Zaev vetë e konfirmoi se vendimin për anulimin e regjistrimit ia ka kumtuar Ahmetit vetëm përmes telefonit dhe se nuk e ka pyetur për qëndrim. Ndërkohë̈ Mickoski e quajti atë vetëm kuantitet dhe jo kualitet.”

Zaev shpreson se për këtë çështje do të ketë konsensus të plotë, e të mërkurën do të takohet edhe me përfaqësues të opozitës shqiptare.

Mickoski edhe Zaev u dakorduan që aparatet me shenjën e gishtit të përdoren në zgjedhje lokale, e ligji do të hyjë menjëherë në procedurë parlamentare. Sipas të dy liderëve, debati do të vazhdojë në nivel të grupeve të punës për ndryshimet tjera në Kodin Zgjedhor. Opozita gjithashtu u zotua se do të jetë kosntruktive dhe do të bashkëpunojë për votimin e ligjeve që kanë të bëjnë me procesin integrues të vendit, si dhe ligjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e Covid-krizës.

Klan Macedonia