Mark Marku pretendon se Partisë Demokratike i është vjedhur mandati i pestë në Lezhë. Në një deklaratë për mediat nga KZAZ 12 në Lezhë, Marku tha se pushteti lokal i drejtuar nga socialistët ishte angazhuar për blerjen e votave.

“Ka pasur tentativa shumë të mëdha për shit/blerje të votes, jam i bindur që gjithë pushteti lokal ka qenë i angazhuar në shit/blerjen, paratë janë shpërndarë nga zyrat e Bashkive. Kemi bërë një luftë të pabarabartë, por ne fituam. Jam i bindur që ne na është blerë mandati i 5 dhe do bëhen denoncimet për pushtetin lokal që janë përfshirë në këtë shit/blerje të votës. I kemi filmuar duke hyrë e dalë nga bashkitë. Me gjithë paratë që kanë hedhur në fushatë prapë ne kemi fituar mandatin e katërt. Imagjinoni çfarë megaoperacioni korruptiv ka qenë për blerjen e votës. Janë shumë fletë të pavlefshme. Kemi shumë fletë të pavlefshme gjë që na ndikon në rezultat, por kjo është për të gjithë”.

Duke komentuar votat në rang kombëtar, Marku e konsideroi truk të përdorur nga socialistët, sepse siç tha ai, janë hapur fillimisht kutitë e bastioneve të PS.

“Mendoj që ka një turk për të mashtruar opinionin publik. Numërimet janë filluar nga zonat ku ata e kanë ditur që janë të humbura (për demokratët). Në gjithë Shqipërinë janë numëruar bastionet e PS”.

Sipas të dhënave të KQZ për aq kuti sa janë numëruar, PD udhëheq në Lezhë me 4 mandate dhe PS me 3 mandate. /tvklan.al