Masat e sigurisë për ditën e nesërme (6 Dhjetor) që do të merren në kuadër të zhvillimit të Samitit Bashkimi Europian – Ballkani Perëndimor ku do të marrin pjesë lider të vendeve te Unionit, lider të Këshillit të BE, të Komisionit Evropian si dhe lider të Ballkanit Perëndimor janë të një sigurie të lartë.  Ky aktivitet nuk monitorohet vetëm nga Policia e Shtetit, por edhe nga organe të tjera.

Për motive sigurie do ketë bllokime dhe devijime trafiku në disa rrugë interurbane dhe urbane të kryeqytetit duke nisur nga ora 06:00 e datës 06.12.2022 e deri në orën 18:00 të datës 06.12.2022.

– Rruga Rinas – Qafë Kashar dhe anasjelltas;

– Autostrada Tiranë- Vorë dhe anasjelltas;

– Unaza e Madhe nga ish-Sheshi Shqiponja – Rrethi i Sanatoriumit dhe anasjelltas;

– Rruga e Elbasanit nga Rrethi Sanatoriumit deri tek Ura e Elbasanit dhe anasjelltas.

Gjithashtu, të gjitha rrugën që lidhin rrugën e Elbasanit, me rrugët “Papa Gjon Pali II”, “Dervish Hima”, “Asim Zeneli”, “Themistokli Gërmenji”, “Ismail Qemali”, “Mustafa Matohiti”, “Jul Variboba”, “Faik Konica”, “Fatmir Haxhiu”, “Gjeneral Nikols”, rrugën e Atjonit, “Sheh Ahmet Pazar”, si dhe të gjitha rrugët që lidhin bulevardin “Dëshmorët e Kombit” me rrugët “Ibrahim Rugova”, “Ukraina e lirë” dhe “Lek Dukagjini”, do të jenë të bllokuara.

Gjithashtu në këto segmente nuk do të lejohet parkimi i mjeteve dhe për mjetet që nuk janë larguar do të bëhet spostimi me mjete ngritës nga Policia Bashkiake dhe Policia e Shtetit.

Për mjetet e emergjencave mjekësore dhe emergjencave civile nuk do të ketë pengesa, perveç kontrolleve policore në perimetrin e sigurisë do të jenë te kontrolluara nga punonjësit e policisë.

Bllokimi i trafikut dhe devijimi në autostradat dhe rrugët interurbane që të çojnë drejt Tiranës, do të fillojë në orën 07:00, ndërsa në qytet në perimetrin e sigurisë duke filluar nga ora 06:00 dhe në rrugët e tjera që përfshihen në itenerarin e lëvizjeve në orën 08:00.

Policia thekson se çdo lëvizje e domosdoshme me mjet sugjerohet të bëhet përpara këtij orari dhe të evitohen lëvizjet në rrugët që do shoqerohen me bllokime dhe devijime për motive sigurie.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Veriu me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga Fushë Prezë – Rinas.

Drejtuesit e mjeteve që vijnë nga Durrësi me destinacion aeroportin e Rinasit rrugëkalimi do të bëhet nga Vora- Rruga e Vjetër e Fushë Krujës.

Për drejtuesit e mjeteve që vijnë nga juglindja, me destinacion aeroportin e Rinasit, rrugëkalimi do të bëhet nga aksi “Elbasan – rrethrrotullimi TEG-ut- unaza lindore- Paskuqan -Kamëz- kryqëzimi i Valiasit- Rinas”.

Për të gjitha emergjencat mjekësore në drejtim të QSUT dhe Spitalit Shefqet Ndroqi, të ndjekin Unazën Lindore kur vijne nga Juglindja per të vijuar nga Shkoza-Kryegjyshata botërore-Farkë-Sanatorium dhe Kodra e Priftit QSUT./tvklan.al