Balla: Vetingu të shtyhet me 2 vjet. Bardhi: S’flitet për bashkëpunim

Socialistët i kanë gati propozimet për ndryshimet kushtetuese sa i takon Reformës në Drejtësi dhe thonë se janë bazuar mbi rekomandime e Komisionit të Venecias dhe Euralusit dhe OPDAT.

Por ndërkohë Taulant Balla thotë se janë në pritje që demokratët të ulet në tryezë me ta për të dhënë propozimet e tyre.

“Në vlerësimin tim do të duhen jo më shumë se 2 vite. Propozimi që kemi diskutuar me kryetarët e komisioneve është duke qenë se ndryshimet në Kushtetutë, kërkojnë rreth 2 muaj, ne të marrim kohën e nevojshme për t’i draftuar. Kjo nuk është çështja pazari më jep të jap”.

Të njëjtën gatishmëri për t’u ulur shumica tregon dhe për Reformën Territoriale.

“Nëse duan të kemi një ekip negocimi për të gjitha, apo një ekip për secilën çështje. Asnjë çështje nuk është tabu për t’u diskutuar, të gjitha kërkojnë të diskutohen”. 

 Por demokratët nuk duket se janë ende gati për ta hedhur këtë hap.

“Secili prej nesh mund të kryejë reforma që i shërbejnë qytetarëve dhe interesit të qytetarëve. Në një parlament ku në shkelje flagrante të rregullores së Kuvendit synohet t’i iket syve të publikut, t’i shmangesh transparencës dhe t’i mbyllësh gojën opozitës, pa diskutim që nuk mund të flitet për bashkëpunim, qoftë ky edhe institucional”.

Gjithsesi shenjat e para të bashkëpunimit në Parlament i kanë dhënë në Konferencën e Kryetarëve ku kanë rënë dakort në parim për të shtuar numrin e komisioneve parlamentare nga 8 në 12.

Tv Klan