Janë mbyllur kërkimet për gjetjen e trupave të pajetë në rrënojat e ndërtesës që ra rreth një muaj më parë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Gjatë këtij operacioni u nxorrën 97 trupa të pajetë, ndërsa një person mbetet ende i zhdukur.

Ekipet e zjarrfikësve dhe ato të shpëtimit kanë mbyllur zyrtarisht kërkimin për trupa të tjerë të mbetur nën rrënojat e ndërtesës shumëkatëshe të shembur rreth 1 muaj më parë në Florida të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Zyrtarët bën të ditur se kërkimet janë mbyllur, por mbetet ende një viktimë e pagjetur.

Ndërkohë pas gati 30 ditë kërkime ekipet e zjarrfikëseve arritën të nxjerrin trupat e 97 personave që mbetën të vrarë nën rënojat e ndërtesës 12 katëshe.

Ekipet e shpëtimit punuan me qindra orë ndërsa gjatë operacionit arritën të zhvendosin më shumë se 13,000 tonë beton dhe inerte të tjera.

Misioni u desh të ndalet disa herë, për shkak të paqëndrueshmërisë të grumbullit të rrënojave, si dhe Stuhisë Tropikale Elsa.

Gjithashtu për të garantuar sigurinë gjatë këtij operacioni të vështirë zyrtarëve iu desh të urdhëronin shembjen e pjesës tjetër të ndërtesës që mbeti në këmbë.

Autoritetet nuk kanë dhënë ende një përfundim zyrtar mbi shkaqet e rrëzimit të kësaj ndërtese, ndërsa dyshohet se shkak është bërë amortizimi i madh i saj./tvklan.al