Një stimul fiskal për ekonominë botërore që arrin deri në 5 mijë miliardë dollar deri në fund të vitit 2010. Mijëra miliarda të tjerë për Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe institucione të tjera, përpilimi i një liste të zezë të parajsave fiskale, pastrimi total i  sistemit bankar, forcim i rregullave për tregjet financiare, ndihmë për ta varfrit, një bord i ri për garantimin e qëndrueshmërisë financiare, dhe një samit i ri në fund të vitit.

Këto janë disa prej masave të vendosura sot në samitin e 20 vendeve më të industrializuara të botës të mbledhur për të luftuar krizën më të rëndë ekonomike që nga vitet 30.

Udhëheqësit botërorë dolën të buzëqeshur nga samiti me arritjen e marrëveshjes së shumë pritur që veç të tjerash parashikon dhënien e  menjëhershme të 750 miliardë dollarëve Fondit Monetar Ndërkombëtar. 250 miliardë të tjerë do të jepen menjëherë në mbështetje të tregtisë ndërkombëtare ndërsa vendet e varfra do të marrin 50 miliardë dollar ndihma.

Në deklaratën përmbyllëse në samitin e G20, kryeministri britanik, Gordon Brown, se bota ishte bashkuar për të luftuar kundër recesionit global. Ai bëri thirrje për krijimin e vendeve të reja të punës dhe zhvillimin ekonomik.

Kjo marrëveshje nuk mund të arrihej pa ndihmën e Francës dhe Gjermanisë të cilët arritën kërkesat e tyre për rregullatorë të rreptë fiskalë.

Jashtë godinës së samitit kishin mbetur shumë pak protestues, një ndryshim si dita me natën në krahasim me 24 orë më parë kur policia arrestoi 90 protestues./tvklan.al

Gazetare: Urita Dokle