Një nga simbolet e gjalla të qëndresës dhe të lutjeve, një personalitet i spikatur i besimit katolik, Kardinali shqiptar Ernest Simoni (Troshani) u vlerësua nga Presidenti i Republikës, Ilir Meta me dekoratën e lartë “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.

“Kjo dekoratë me emrin e madhështorit e të pavdekshmit Heroit tonë Kombëtar, “shqiptarit më të gjallë ndër të gjallët”, siç do të shprehej Fan S. Noli, i jepet sot Kardinalit Troshani”

Kreu i shtetit vlerësoi Kardinalin për promovimin e vlerave të paqes, humanizmit dhe harmonisë e bashkëjetesës ndërfetare në vendin tonë.

“Kardinal Troshani ia ka kushtuar jetën dashurisë së pakushtëzuar ndaj njerëzve, vlerave të larta shpirtërore dhe morale, lirisë së ndërgjegjes e qëndresës dinjitoze, në shërbim e në respekt të atdheut dhe kombit Troshani, simboli i rezistencës dhe i përkushtimit të pashembullt ndaj vlerave e idealeve kombëtare, kur mbi Shqipërinë tonë qëndronin retë e zeza të diktaturës”.

Ceremonia e dekorimit u mbajt në Kishën e Shna Ndout në Laç.

Pak ditë më parë Dom Ernest Troshani rrëfeu para studentëve të universitetit gregorian të Romës, burgosjen, torturat në qelitë e izolimit dhe klavarin e 18 vite punë të detyruar, në një aktivitet të organizuar nga ambasada jonë në Selinë e Shenjtë.

Kardinali Ernest Troshani është i vetmi martir i gjallë në mesin e 38 të tillëve të shpallur nga Papa Françesku gjatë vizitës së tij në Tiranë, më 21 Shtator të 2014-ës.

Tv Klan