Një minë e Luftës së Dytë Botërore ka rënë në rrjetat e peshkatarëve në zonën e Triportit në Sazan.

Alarmi është dhënë nga një peshkatar, që në rrjetat e peshkarexhës “Mikaela” kishte mbetur mina. Fatmirësisht ajo nuk ka shpërthyer, ndërsa në dijeni është vënë policia dhe forcat xheniere.

Këto të fundit pritet të mbërrijnë në vendngjarje për të kryer shpërthim të kontrolluar të minës së Luftës së Dytë Botërore.

Njoftimi i Policisë së Vlorës

Më datë 11.01.2018, Salla Operative e Kufirit Vlorë është njoftuar prej shtetasit A.M., se rreth 10 milje në veri të Sazanit, ku kishte peshkuar, ka konstatuar në rrjetën e peshkimit edhe një minë luftarake.

Shtetasi është paraqitur pranë Stacionit të Policisë Triport, ku edhe ka qëndruar anijen e peshkimit, në brendësi të së cilës ndodhet municioni luftarak i cili aktualisht është nën ruajtjen e shërbimeve policore.

Nga verifikimi paraprak mina ka një peshë rreth 500-600 kg.

Janë njoftuar menjëherë edhe ekspertët e forcave xheniere, në mënyrë që të bëjnë vlerësimin e situatës dhe asgjësimin e minës nëse do të jetë e nevojshme.

/

tvklan.al