Nisma e “Minishengenit” ballkanik do t’’i nxjerrë produktet e veta në fund të vitit 2020. Është kjo bindja e kryeministrit Edi Rama, sipas të cilit, shifrat e rritjes ekonomike do të flasin vetë në fund të vitit të ardhshëm.

Sipas kreut të qeverisë sonë, ajo që po bëjnë liderët e Ballkanit Perëndimor është shprehje e vullnetit se kanë mësuar nga vendet e tjera perëndimore të cilat kanë kuptuar se nga mbyllja vetëm mund të humbasësh.

“Përgjigja konkrete është viti 2020 do flasë vetë për këtë. Unë jam i bindur se në fund të 2020 shifrat e vendeve tona dhe uroj shumë edhe të Kosovës dhe Bosnjës që mungojnë këtu për arsye të mosarsyes politike do të flasin vetë. Kjo është vetëm një shprehje e vullnetit për të mësuar nga ata që janë sot shumë më përpara nesh sepse kanë kuptuar shumë kohë para nesh se nga mbyllja vetëm mund të humbasësh”, tha Rama.

Rama tha se është rënë dakord që të lehtësohet maksimalisht kalimi doganor në Qafë Thanë. Gjithashtu është rënë ndakord që në takimin e radhës sëbashku me Komisionin Europian dhe Bankën Botërore të hartohet një dokument për zhvillimin e pritshëm nga kjo nismë.

“Kemi rënë dakord sëbashku me Komisionin Europian dhe Bankën Botërore për të hartuar dhe në takimin e radhës, për ta pasur jo vetëm në tryezë, por edhe një dokument që mund të ndahet me publikun një hartë të zhvillimit të pritshëm nga kjo nismë që e përsëris është përforcuese për marrëveshjet me impaktin specifik në tërë rajonin, e shoqëruar me një tabelë rritjesh ku çdo gjashtë muaj sëbashku me KE do mund të bëjmë edhe një bilanc. E them këtë sepse dëgjoj shumë teori konspirative dhe shumë broçkulla lidhur me faktin se kjo nismë nuk ka impakt për të gjitha vendet, se kjo nismë ka impakt ndoshta vetëm për Serbinë, ndërkohë që është e kundërta. Çdo vend që përfshihet në këtë proces përfiton dhe procesi ka një përfitim progresiv për të gjitha vendet. KE bëhet gati për t’i dedikuar qysh në vitin e ardhshëm 1.2 mld euro për vendet tona të këtij rajoni në funksion të zbatimit të marrëveshjeve. Këto fonde nuk janë kredi, janë grant. Kush mund të thotë se lëvizja e lirë e njerëzve, e mallrave, heqja e kaq shumë procedurave, mund të mos sjellë zhvillim për ekonominë biznesin, mirëqenien e vendit të vet? Këtë e thonë vetëm ata që nuk duan të shohin realitetin”, tha Rama./tvklan.al