Ministrja e Arsimit Besa Shahini u është përgjigjur në Facebook pyetjeve të bëra nga maturantët për shkak të situatës së krijuar nga pandemia COVID-19.

Përsa i përket përmbatjes së provimit të Maturës, ministrja Shahini njofton se duke filluar nga data 4 Maj do të ketë komunikime të përditshme nga drejtoresha e Qendrës së Shërbimeve Arsimore (QSHA) mbi elemente dhe detaje të ndryshme të këtij provimi.

Në këtë video-mesazh, ministrja e Arsimit flet edhe për rikthimin në shkollë më datë 18 Maj të maturantëve, duke sqaruar se nuk është e detyrueshme.

“Kthimi në shkollë nuk është i detyrueshëm. Ne po i hapim shkollat për maturantët ekskluzivisht për shkak se ju keni kërkuar që të keni konsultime me mësuesit tuaj përpara se të bëni provimin e Maturës. Ndaj, nëse ndiheni që mund të bëni provimin e Maturës pa e bërë këtë konsultim, ju mund të qëndroni në shtëpi gjatë kësaj kohe, të punoni individualisht, por duhet të njoftoni drejtorin e shkollës para 11 Majit, në mënyrë që të planifikojmë uljen e nxënësve nëpër klasa dhe distancimin social për ata që shkojnë në shkollë”.

Shahini ka sqaruar gjithashtu se festat e mbrëmjes së Maturës për këtë vit nuk do të lejohen, pasi është e pamundur të respektohet distancimi social.

Mbrëmjet e Maturës nuk do të lejohen. Janë festa që nuk mundësojnë distancimin social mes nxënësve, kështu që sivjet ato duhet të anulohen dhe të gjejmë forma të tjera për të festuar”. /tvklan.al