Kathy Zhu, mbështetëse e zjarrtë e Donald Trump

Miss vetëm për një natë. Zgjati më pak se 24 orë kurorëzimi si më e bukura e Miçiganit për amerikanen me origjinë kineze, Kathy Zhu.

Shkak u bënë disa postime të vjetra të saj në rrjetet sociale, të konsideruara si raciste dhe islamofobe.

“A e dinit se shumica e vrasjeve të njerëzve me ngjyrë, bëhen pikërisht nga njerëzit me ngjyrë? Rregulloni problemet brenda komunitetit tuaj përpara se të fajësoni të tjerët”, ishte një nga komentet për të cilat akuzohet e reja.

20-vjeçarja thotë se ato deklarata janë nxjerrë nga konteksti.

“Ato komente ishin në fakt përgjigje ndaj një personi tjetër, i cili thoshte se të gjithë policët janë njerëz të këqij që vrasin njerëz të pafajshëm. Lexoni të gjitha komentet dhe kuptoni kontekstin për të kuptuar të gjithë historinë”.

Kathy Zhu shfaqet në rrjetet sociale si një mbështetëse e zjarrtë dhe e hershme e presidentit Donald Trump.

Ngjarja e përhapur menjëherë në opinionin publik amerikan ende nuk e ka tërhequr vëmendjen e presidentit Trump, i cili së fundi është kritikuar gjithashtu për disa deklarata të konsideruara si raciste.

Tv Klan