“Vaksinimi i popullatës do të bëhet me faza”

Greqia mund ta nisë që në Janar vaksinimin e popullatës kundër COVID-19. Të paktën, kështu parashikon Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, i cili e pohoi këtë përpara parlamentit, këtë të enjte.

“Nga Janari do të kemi vaksinat. Vaksinimi do të bëhet me faza dhe të gjithë qytetarëve duhet t’u injektohet për të thyer zinxhirin e pandemisë”.

Në fjalën e tij në Parlamentin grek, Mitsotakis mbrojti po ashtu karantinat e pjesshme në vend që po aplikohen në qytetet e mëdha si Athina dhe Selaniku.

Sipas tij, mbyllja e dy qyteteve të mëdha ka për qëllim të shmangë sa më shumë viktima deri në daljen e vaksinës, që sipas tij Greqia do ta marrë sapo ajo të jetë e disponueshme për vendet e Bashkimit Europian.

Presidentja e Komisionit Europian tha pak ditë më parë se do të nënshkruante së shpejti marrëveshjen për furnizimin e vendeve të unionit me 300 milionë doza nga vaksina e përbashkët e firmave farmaceutike Pfizer dhe Biontech.

Tv Klan