Basketbollisti grek, kontratë 228 milion USD për 5 vite

Kampionati më magjik i basketbollit në botë, NBA amerikan tregoi edhe njëherë se nuk përballet me krizë financiare. Lojtari i Miluoki Baks, Janis Antetokumpo firmosi një kontratë faraonike, ku do të përfitojë një shifrën prej 228 milionë dollarë për 5 vitet e ardhshme.

Kontrata më e majme në historinë e këtij sporti, gjithsesi nuk e shndërron basketbollistin grek në më të paguarin, të paktën për këtë sezon. Kjo pasi kontrata e tij e re nis zyrtarisht në sezonin 2021-2022.

Por kush është basketbollisti më i paguar në NBA? Një total prej pesë lojtarësh paguhen më shumë se 40 milionë euro në sezon.

Bëhet fjalë për basketbollistë kryesorë si Stephen Curry, i cili fiton plot 43 mln dollarë. Russell Westbrook dhe Cris Paul me 41.3 milionë dollarë. Diçka më pak, pra 41.2 milionë dollarë do përfitojë John Wall i Houston, ndërsa mbi 40 milionë dollarë në vit gjendet edhe James Harden, me 40.8 mln dollarë. 

Dy figurat simbolike të NBA, Le Bron James dhe Kevin Durant mbeten shumë afër kufirit, respektivisht me 39.2 mln dollarë dhe 39 mln dollarë Sa i përket, Antetokumpo, ai renditet i 38-ti në këtë renditje të veçantë, me 27.5 mln dollarë. Por duke nisur nga sezoni 2021-2022, greku do të vijojë ngjitjen në renditjen e më të paguarve të NBA.

Klan Plus