Enea Mihaj zëvendëson Ismajlin e dëmtuar, gati për Poloninë

Dëmtimi i Ardian Ismajlit prish planet e trajnerit Sylvinho. Braziliani nuk do të ketë në dispozicion mbrojtësin e Empolit për duelin e 27 Marsit kundër Polonisë. Në të tilla kushte, stafit kuqezi iu desh për të bërë disa ndryshime në listën prej 23 futbollistësh.

Enea Mihaj është ftuar për të marrë vendin e Ismajlit, i cili ka pësuar një dëmtim serioz dhe që e largon nga grumbullimi i Kombëtares. Mihaj do të jetë në dispozicion të skuadrës për t’u stërvitur normalisht me grupin, duke rritur shanset e prezencës së tij në transfertën polake.

Mbrojtësi ka qënë një pikë fikse në skuadrën portugeze të Farmalicao, ku ka grumbulluar shumë minuta në këmbë. 24-vjeçari pritet të garojë për një fanellë titullari me lojtarë si Marash Kumbulla, Frederik Veseli dhe Jon Mersinaj. Një garë e fortë në tryezën e Sylvinhos, me 48-vjeçarin që pritet të hedh në fushë një formacion me katër mbrojtës.

Polonia do të jetë edhe sfida debutuese për brazilianin në pankinën kuqezi, prandaj kërkon ta nis me pikë të plota eksperiencën në rrugën drejt Euro 2024.

Klan News