I përfshirë në skandal kabineti i guvernatorit Andrew Cuomo

Autoritetet federale të New York-ut janë përfshirë në një skandal të manipulimit të numrit të viktimave nga Covid-19 në shtëpitë e kujdesit për të moshuar.

Zyrtarë të Departamentit të Shëndetësisë në varësi të Guvernatorit Andrew Cuomo konfirmuan të enjten njoftimet se anëtarët e një grupi pune mbi COVID-19, kishin ndryshuar një raport të shtetit të New York-ut mbi shtëpitë e të moshuarve, duke fshehur numrin e plotë të personave të vdekur nga koronavirusi.

Megjithatë zyrtarët këmbëngulën se ndryshimet ishin bërë për shkak të shqetësimeve në lidhje me saktësinë e të dhënave.

Duke cituar dokumente dhe persona në dijeni të diskutimeve brenda administratës, gazetat “Wall Street Journal” dhe “New York Times”, shkruan se disa zyrtarë, përfshirë sekretaren e guvernatorit, Melissa De Rosai kishin shtyrë zyrtarët vendorë të shëndetësisë të New York-ut të ndryshonin raportin e muajit korrik, duke përfshirë në listën e viktimave vetëm ata që kishin humbur jetën në objektet e kujdesit afatgjatë shëndetësor dhe jo ata që ishin sëmurë aty, por që kishin vdekur më pas nëpër spitale.

Kjo është një goditje e re për Guvernatorin Andrew Cuomo, i cili gjithashtu është rrethuar nga akuzat për ngacmime seksuale ndaj dy ish-ndihmëseve.

Guvernatori Cuomo kërkoi falje të mërkurën por refuzoi thirrjet për dorëheqje. Ai tha se do të bashkëpunonte plotësisht me hetimin e nisur nga zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të shtetit mbi akuzat për ngacmim seksual.

Ndërkohë hetuesit federalë po shqyrtojnë me kujdes mënyrën se si administrata e tij ka trajtuar të dhënat mbi shtëpitë e të moshuarve.

Zyrtarët pranuan edhe atëherë se numri i vërtetë i vdekjeve ishte më i lartë për shkak të përjashtimit të pacientëve që kishin vdekur në spitale, por nuk pranuan në atë kohë të vlerësonin numrin më të madh të vdekjeve, me argumentin se shifrat ishin ende duke u verifikuar.

Projekt-raporti tregon për 9,200 vdekje, por ndihmësit e guvernatorit Cuomo thanë se duhej të ndryshohej.

Sekretarja e Shtypit e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha të premten se pretendimet se ndihmësit e zotit Cuomo kishin manipuluar raportimin publik mbi numrin e vdekjeve në shtëpitë e pleqve ishin “shqetësuese”. Ajo tha se Shtëpia e Bardhë “do të mbështeste çdo hetim të pavarur” mbi këtë çështje.

Klan News