Nisi në Durrës aksioni 15 ditor i policisë ndërtimore për prishjen e 150 objekteve të paligjshme. Një godinë 5 katshe është rrëzuar mëngjesin e sotëm nën goditjen e fadromave të ndërtimores duke i hapur rrugën aksionit për krijimin e hapësirave publike.

“Ne jemi në kushtet e ushtrimit të detyrës tonë ligjore, është një marrëdhënie bashkëpunuese me Policinë e Rendit. Aksioni po zhvillohet normalisht, pavarësisht  nga vështirësitë teknike që paraqet  zbatimi i vendimit, konkretisht në rastin e zbatimit të vendimit të KRTRSH-së”.

Lefter Koka: Aksioni është ndjekur edhe nga krerët më të lartë të pushtetit vendor. Aksioni nuk konsiston të shkatërrohet çdo gjë e bukur ndoshta dhe që është ndërtuar jo brenda ligjeve, por  sigurisht që do të largohen ato ndërtime të cilat me të  vërtetë pengojnë në funksionimin e kësaj  zone. Unë do ti bëja thirrje sepse shumë shpejt ky aksion do të rifillojë me largimin e të gjitha rrethimeve të paligjshme, pra zënien e hapësirave publike, gjë që qytetarët akoma nuk po e kuptojnë dhe unë do të kërkoja të bashkëpunonim në këtë pikë për ta bërë këtë verë zonën e plazhit një zonë vërtet turistike.

Një detyrim emergjent për Bashkinë e Durrësit do të mbetet më pas pastrimi i inerteve, për vetë faktin se na ndajnë fare pak muaj nga fillimi i sezonit turistik. Në të njëjtën kohë me Durrësin, policia ndërtimore ka ndërmarrë edhe aksione të tjera paralele në Sarandë dhe Divjakë./tvklan.al