Ndalohet lëvizja gjatë natës, shkollat mbeten hapur

Vendet europiane vijojnë të marrin masa për të frenuar pandeminë duke penguar sa më shumë lëvizjen e qytetarëve. Pak orë pas sulmit terrorist në Vjenë, në Austri hynë në fuqi masat e reja shtrënguese. Shkollat ​​dhe çerdhet do të qëndrojnë të hapura, por njerëzit tani nuk lejohen të dalin nga ora 20:00 e mbrëmjes deri në orën 06:00 të mëngjesit. Përveç mbylljes së muzeve, teatrove, kinemave dhe pishinave, të gjitha aktivitetet anulohen, përfshirë martesat dhe tregjet e Krishtlindjeve.

Edhe qyteti i dytë më i madh i Greqisë, Selaniku dhe provinca veriore e Serres, janë tani nën një bllokim lokal, pas një rritje të ndjeshme të rasteve. Zëdhënësi i qeverisë njoftoi se banorët në ato zona mund të largohen nga shtëpitë e tyre vetëm për arsye specifike, të tilla si për të punuar, stërvitur apo për të ndihmuar dikë në nevojë. Të gjitha dyqanet me pakicë do të mbyllen, përveç ushqimoreve supermarketeve dhe farmacive. Edhe këtu shkollat ​​do të qëndrojnë të hapura. Në fundjavë kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi një shtetrrethim mbarëkombëtar nga mesnata deri në 05:00 të mëngjesit dhe e bëri të detyrueshme mbajtjen e maskës ​​në të gjithë vendin.

Në mbrëmje edhe qeveria italiane do të publikojë detajet e një shtetrrethimi kombëtar gjatë natës së bashku me kufizimet e udhëtimit në zonat tani të klasifikuara sipas rrezikut të tyre shëndetësor. Në Gjermani, Kancelarja Angela Merkel paralajmëroi se sezoni i festave, veçanërisht Krishtlindjet, do të reduktohet në tubime të kufizuara familjare. Në një karantinë kombëtare ka hyrë tashmë edhe Belgjika.

Tv Klan