Pas komisioneve, edhe seanca plenare e Kuvendit të Shqipërisë i është rikthyer sot normalitetit. Megjithatë, pavarësisht konsensusit në Konferencën e Kryetarëve, palët u përfshinë sërish në debate.

Reforma Zgjedhore ishte shqetësimi i shprehur më së shumti gjatë diskutimeve në foltoren e Kuvendit nga Lulzim Basha, i cili akuzoi mazhorancën dhe grupin e Bardhit se kanë bërë një pazar për të mos e bërë këtë reformë.

Nga ana tjetër kreu i grupit parlamentar socialist, Bledi Çuçi tha se mandati i Komisioni të Reformës Zgjedhore mbaron ditën e sotme dhe se ky komision do të dalë me një produkt final.

Ndërsa grupimi i Gazment Bardhit tha se të gjitha diskutimet dhe propozimet do të bëhen me mekanizmin e ri që do të krijohet në Komisionin e Ligjeve ku do të ketë përfaqësues nga të gjitha palët. Një karrige bosh i është lënë edhe grupit të Bashës, por ky i fundit e refuzoi.

Lulzim Basha: Kodi Zgjedhor është sakrifica më e madhe, në emër të 6 muajve de-normalizim, hiqni dorë për një moment nga axhendat tuaja të ngushta partiake dhe jepini shqiptarëve deri në fund të këtij muaji një Komision të Reformës Zgjedhore me parametrat siç kanë qenë gjithmonë dhe me një vendimmarrje që gjenden aty tash 2 vjet.

Bledi Çuçi: Çfarë komisioni bipartizan konsensual mund të ngrihet kur pakica vjen me një draft dhe thotë këto janë kushtet tona, po doni merreni, po doni lëreni. Dhe ndoshta këtu është dhe burimi i dështimit të këtij komisioni.

Gazment Bardhi: Në skadim të këtij komisioni të turpshëm, ky Kuvend sot duhet të nxisë absolutisht dialogun politik që në një kohë të shkurtër ne t’i japin qytetarëve shqiptarë një reformë kuptimplotë zgjedhore, jo një tallje me teza jenisherësh që kthehen sa herë dikush ka nevojë për t’u bërë deputet.

Tv Klan