Instituti Ndërkombëtar Republikan me qendër në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka publikuar rezultatet e një sondazhi të zhvilluar gjatë shkurtit dhe marsit të këtij viti në 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor, ku mes të tjerash për Shqipërinë pyeti edhe për politikanët kryesorë.

Përsa i përket popullaritetit kryeministri Edi Rama renditet i pari, me 55 përqind të të anketuarve. Pas kreut të qeverisë i dyti si më i pëlqyeri nga shqiptarët vjen Erion Veliaj.

Pas dy drejtuesve kryesorë të Partisë Socialiste nga ana e opozitës nuk renditet lideri historik Saili Berisha. Para tij renditen dy politikane te rinj, Agron Shehaj dhe Belind Këlliçi.

Në dy vendet e fundit për sa i përket popullaritetit mes politikanëve kryesorë renditen Lulzim Basha dhe Ilir Meta.

Një ndër pyetjet e Institutit Ndërkombëtar Republikan ka qenë edhe për integrimin në Bashkimin Europian. Shqiptarët janë populli më proeuropian nga vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas anketës nëse sot do të mbahej një referendum për anëtarësimin në BE, atëherë do të votonin pro 92% e Shqipërisë, 89% e Kosovës, 79% e Malit të Zi, 68% e Bosnje e Hercegovinës, 68% e Maqedonisë së Veriut, si dhe 40% e Serbisë, por 34 % e serbëve janë gati të votojnë kundër anëtarësimit në BE.

Klan News