“Nënshkruhet peticion për rindërtimin e teatrit ashtu siç ishte”

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit protestoi për të dytën herë në bulevard, kësaj here për të nënshkruar peticion për rindërtimin e Teatrit Kombëtar në gjendjen e mëparshme.

Pas një tubimi që zgjati rreth dy orë, ishte regjisori Robert Budina ai që njoftoi fundin e saj. Megjithatë ai i bëri thirrje qytetarëve që t’i bashkohen ditën e nesërme në orën 11:00 përpara prokurorisë për t’i nxitur që të vijojnë hetimet. Të premten, Budina u shpreh se protestat do të shtrihen në çdo qytet, ku do të kërkohet firmosja e peticionit për rindërtimin e teatrit aty ku ishte dhe ashtu siç ishte.

Kjo ishte protesta e dytë e organizuar në harkun kohor të dy ditëve. Kësaj proteste, që u organizua nga Aleanca për Teatrin, iu bashkua Partia Demokratike dhe partitë e tjera opozitare. Për mbarëvajtjen e rendit dhe sigurisë u angazhuan rreth 1 mijë forca policore. Protestat e artistëve, shoqërisë civile dhe opozitës nisën pas shembjes së godinës së Teatrit Kombëtar të dielën e 17 Majit.

19:30- Robert Budina: Nesër në orën 11:00 jeni të ftuar para prokurorisë që t’i nxisim të fillojnë hetimet. Nga dita e pasnesërme do dalim qytet më qytet që t’i mbledhim firmat. Nëse nuk ka reaguar prokuroria do ju bëjmë me dije si do vazhdojë. Jemi njerëz që veprojmë institucionalisht, sepse lufta e demokracisë është e gjatë dhe ka nevojë për ju. Ne do fitojmë me paqe, ne do të fitojmë me qytetari.

19:27- Bojken Abazi: Lajmi më i mirë që merrnim kur ishte në paraburgim ishte që protestat vazhdonin. Kjo i jepte kuptim edhe ditës së dielë dhe 27 muajve rezistencë që ka drejtuar Aleanca për Teatrin. do ju kërkoja ë në ditët në vijim të mos ndalemi, por ta çojmë edhe qytet më qytet sepse plani i tyre ka dështuar. Në datën 17 këtu u vra frika dhe për pasojë një realitet i ri mund të lindë.

19:24- Aulon Kalaja: Unë bashkë me katër të tjerë kemi qenë tek Teatri Eksperimental. Qëndrova i fundit dhe mora një vendim. Kishin marrë masa për të mbyllur valët. Dola nga teatri eksperimental dhe për 30 sekonda është goditur teatri. Unë jam rastësisht në protestë. Do të bëj një padi kundër jetës për ta. Më kanë vënë gjoba, më kanë edhe patenta që nuk e kam një të tillë.

19:18- Adriatik Lapaj: Dëgjoj shpesh se kjo duhet të jetë një protestë më e ashpër. Ne inatin e kemi më të fortë, por banditët do ikin me qëndrueshmëri, me popullin ditë për ditë.

19:06- Adriana Kalaja: A e keni parë që terroristët sulmojnë simbolet? Terroristët që na udhëheqin sulmuan artin dhe kulturën shqiptare. Kauza e teatrit është Shqipëria, është flamuri kuqezi. Çfarë bënë terroristët? Nën rrënoja hodhën flamurin kuqezi. Ata po varrosin edhe historinë e kombit shqiptar. Krimi për teatrin nuk ka filluar me 17 Maj, por kur u propozua dhe miratua ligji special që sot qëllimisht e harrojmë. Nga ky shesh i kërkoj SPAK-ut të arrestojë kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj. Po manipulon provat. Aleanca  për mbrojtjen e teatrit ka bërë dy kallëzime. Provat, faktet i ke në SPAK, arrestoje sepse Veliaj po manipulon provat. Veprimi i dytë që duhet të bësh, mos lejo që të përdhoset më tej ky shesh. Ne do të bëjmë teatrin e ri siç ishte dhe për këtë jemi zotuar.

19:04 – Ervin Goci: Ka një shqetësim. Aleanca është infrastrukturë shoqërore. Këtu ka njerëz të profileve të ndryshme. Kësaj radhe ka ardhur koha që gjithë shqiptarët nën emblemën e Teatrit Kombëtar, duhet të mblidhen të gjithë dhe të bëjnë një protestë mbarëkombëtare. Nëse këto shqetësime që ne kemi, partitë politike nuk i artikulojnë në programet e tyre, një forcë e re politike po lind. Shoqëria do eci. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit është Aleancë për Mbrojtjen e Teatrit. Nuk do të ketë parti në mbrojtjen e teatrit.

18:53- Ergys Mertiri: Ajo çfarë po ngre Edi Rama është kudo një tallava. Çdo gjë që bëjnë, e bwjnw për tallava. Ne kemi politikë tallava, gjykata tallava. Ne  duam teatër se është elitar dhe jo tallava. Ata duan që të krijojnë një qytet gradaçelash idiote. Shikojeni si e ka bërë kryeministrinë, me drita, pra një qytet disko. Kjo nuk bëhet pa një shtet totalitar nga pas. Nëse e shihni Edi Rama i ka kapur pushtetet e pavarura. Gjykatat po i kap, prokuroritë dhe po i shndërron në instrumente jo për të dënuar kriminelët, por për të dënuar qytetarët që protestojnë kundër tij.

18:44- Alfred Lela: Jua respektoj sakrificën, dhimbjen dhe ju them që nuk ishte dështim sepse shteti që duhet të ishte i joni erdhi tinëzash, hajdutçe, në mes të natës, pa gdhirë agimi për të shembur një ndërtesë që është edhe e shtetit, e jona padyshim, por nuk është e pushtetit. Është e jona. Unë i kam falur policët sepse janë bija nënash dhe bij nënash të bërë kokë turku, por nuk janë të parët. Nuk e kam falur Edi Ramën, nuk do ta fal Edi Ramën dhe nuk do ta fal Sandër Leshin. Nuk do ta fal jo se u dhunova atë ditë, nuk do ta fal sepse ishin të pazotë për ta pranuar dhunë, për të qenë burra Shqipërie dhe për të thënë na fal se ashtu ndodhi. Nuk mundën se janë burracakë dhe se janë burracakë, nuk kam për t’i falur. Të mos keqkuptohemi, se meqë nuk do t’i fal nuk do të thotë që do të marr pushkën. Ajo që ndodhi me teatrin nuk ishte suksesi i parë i Edi Ramës ka pasur dhe të tjera. Kanabizimi cep më cep, sukses i qeverisë së Ramës. Emigrimi i shqiptarëve, eksodi i dytë biblik në këto 7 vite që ka qeverisur vendin.

Ora 18:32 –  Koloreto Cukali: Çfarë duhet të bëjmë? Çdo ditë kur takoj njerëzit shumica janë shumë të shqetësuar çfarë ndodh në këtë vend. Dhe të gjithë kanë një pyetje: Çfarë të bëjmë? Çfarë të bëjmë kur të vrasin natën dhe nuk të lënë as ta qash ditën? Çfarë të bëjmë kur demokracia bie? Çfarë të bëjmë kur as ligji nuk të mbron më? Diktaturat nuk vendosen brenda ditës. Diktaturat moderne në fakt vendosen pak nga pak çdo ditë. Diktaturat moderne vijnë në pushtet me votë nuk duan të largohen me votë. Shteti fillon të degradojë. Pushteti aktual e ka gjetur armikun, mediat dhe gazetarët. Është ndezur makineria e propagandës, po përpiqen të ofrojnë një të vërtetë alternative. Duan të na mbushin mendjen që ajo që kemi parë këtu nuk është e vërtetë, që ligji nuk është shkelur, që dhuna nuk është ushtruar. Janë hapur fabrikat e trollsave. Ky është një problem shumë i madh për demokracinë. Jemi në atë moment që është momenti pak përpara instalimit të plotë të një diktature, është ai moment që siç thonë është momenti kur njerëzit e lejojnë të vendoset diktatura. Diktaturat vendosen me popuj të fjetur dhe popuj indiferentë. Çfarë të bëjmë? Unë mendoj që hapin e parë e kemi bërë. Hapi i parë është të tregojmë që ne nuk jemi një popull indiferent. Ne nuk jemi një popull delesh edhe derrash. Ne nuk mund ta pranojmë një trashëgimi europiane të shkojë kështu. Argumentet kanë rënë. Po flasim për një moment shumë të rëndë. Çfarë të bëjmë? Ju këtu jeni më shumë se gjthë fabrikat e trollsave të tyre. Unë do doja që ta mbani gjallë të vërtetën çfarë ka ndodhur këtu. Ne nuk mund ta lëmë që ajo javë e cila filloi me mbyllje televizionesh përfundoi me shembje teatrosh. Nuk do habitesha nëse pas 1 muaji do tentojnë të na imponojnë ligje që vendosin censura ndaj mediave. Unë mendoj që ky është “21 Janari” i Edi Ramës. Një mit i ndërtuar me shumë kujdes që thoshte ‘Berisha të vret në bulevard ndërsa ky jo’, unë mendoj që ky mit ra. Çfarë të bëjmë? Unë mendoj që hapin e parë e keni bërë.

18:30- Mirela Karabina:Këta u sulën kur ndërtesa ishte akoma me njerëz brenda. Kur doli Neritan Liçaj fasada kishte rënë. Ato janë ilegjitimë në atë institucion ku qëndrojnë. Ky krim që ka ndodhur këtu ka fytyrë dhe ka fytyrën e krimit. Fytyra e krimit është Edi Rama, i cili ia kaloi pronën një kryetari ilegjitim. Ai duhet të japë dorëheqjen”.

Karabina renditi listën e këshilltarëve që sipas saj marrin disa rroga për shkak të shërbimeve që bëjnë.

“Luan Bregasi,Plarent Ndreca, Toni Gogu, Vjollca Braho, Mira Rakacolli, Joleza Koka, Adrian Civici, Naim Halili, Besfort Lamallari, Rovena Voda, Romina Kuka, Julian Hodaj, Sonila Qato, Oltion Rrumbullaku, Eridian Salianji, Ervin Mete, Dajna Sorensen, Artur Sula, Etjen Xhafaj, Ermira Gjeci, Redi Shtino, Blerina Doracaj, Arta Dollani, Enis Hoxha, Sara Shameti”, renditi Karabina.

“Erion Veliaj duhet të japë dorëheqjen se ka marre një pronë që nuk i takon. Edi Rama të japë dorëheqjen sepse është organizatori. Të gjithë sëbashku për Shqipërinë do ia dalim. Vetëm vënia përpara drejtësisë e këtyre njerëzve do e shpëtojë Shqipërinë”, tha ajo.

18:09 – Robert Budina: Sot për t’i dhënë një përgjigje aktit terrorist që kreu Kryeministri për ta rikthyer Teatrin Kombëtar aty ku e ka vendin, kemi hapur një peticion që të shpërndahet në gjithë Shqipërinë ‘e dua teatrin aty ku ishte siç ishte’. Kryeministri tha unë kam votat dhe bëj çfarë të dua. A i ka votat? (Ovacione në turmë) Kërkojmë nga drejtësia të zbardhë sulmin terrorist që u krye mbi artistët, aktivistët. Kemi të gjitha pamjet se si tërhiqen zvarrë intelektualët sepse donin të mbronin kulturën dhe dinjitetin tuaj. Ne nuk do të tërhiqemi se jemi kockë e fortë. Ja treguam 2 vjet e 3 muaj dhe e çuam në një dëshpërim total që të kryente një akt terrorist. Faktori ndërkombëtar po reagon me shpejtësi të skëterrshme për çfarë po ndodh me Shqipërinë  dhe moto jonë është ‘eja eja eja’. Ai që do të ikë, le të iki vetë. Ne duhet ta fitojmë këtë betejë me të keqen. I kërkova policisë të vinte vajza përpara, që ta kenë të qartë se ne nuk jemi njerëzit e dhunës.

18:05 – Mehdi Malkaj: Dua të përshëndes të gjithë kolegët tanë në Kosovë, ata na mbështetën. Dua të përshëndes Teatrin Migjeni në Shkodër, i vetmi në Shqipëri. Kemi dhe teatro të tjerë, edhe Durrësin. Në qoftë se kjo quhet demokraci, çfarë mund të themi për diktaturën?

18:00-I pari që mbajti fjalim në këtë protestë të dytë të artistëve ishe aktori Neritan Liçaj. Ai u shpreh se njerëzit e kanë kuptuar që kauza e tyre ishte e drejtë. Sa i përket vendimit për prishjen e teatrit, Liçaj tha se qeveria i vuri vetes një turp të madh. Aktori e vuri theksin tek drejtësia. Ai kërkoi që të zbardhej krimi që u bë me shkatërrimin e teatrit.

“Gjithsesi jemi këtu për të thënë, ne jemi shqiptarë dhe thërrasim në kauzë të gjithë shqiptarët me parti, pa parti, të gjithë ata që munden me zërin e tyre të arrijmë të ndryshojmë diçka në këtë vend, që edhe ne të fillojmë të bëhemi një vend normal.  Do doja drejtësi për krimin që u bë. Duhet të marrim të analizojmë atë togë pushkatimi. Kjo drejtësi t’i japë drejtësi atij shpirti të pushkatuar. Jemi në shekullin e 21 dhe ky vend është i ngërthosur. Duhet drejtësi dhe duhet parë përpara se si t’i ndreqim gjërat në këtë vend”, tha Liçaj./tvklan.al