Amerika ka nisur votimin këtë të martë, 03 nëntor, për zgjedhjet e mesmandatit, të cilat do të përcaktojnë balancat e pushtetit në Kongres dhe do të shërbejnë si një test për dy vitet e para të mandatit të dytë të presidentit Donald Trump. Sondazhet dhe analizat e pavarura parashikojnë se demokratët kanë shanse të mira të marrin kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve nga republikanët, ndërsa gara për Senatin mbetet e hapur.
Demokratët synojnë të përmbysin balancat në Kongres
Përballja për kontrollin e Senatit po zhvillohet në afro dhjetë shtete, ku gara është veçanërisht e fortë. Shumica e këtyre vendeve janë tradicionalisht bastione republikane. Megjithatë, historia nuk është në favor të partisë së Trump. Që nga Lufta e Dytë Botërore, partia që ka qenë në pushtet ka humbur terren në Kongres në pothuajse çdo zgjedhje të mesmandatit, me përjashtim të dy rasteve.
Edhe vlerësimi për Trump ndodhet pranë niveleve më të ulëta të mandatit të tij. Pakënaqësia e votuesve lidhet veçanërisht me luftën me Iranin dhe rritjen e çmimeve të karburanteve. Për këtë arsye, zgjedhjet e këtij viti janë kthyer në një referendum për vetë presidentin, i cili ka qenë figura qendrore e politikës amerikane gjatë pjesës më të madhe të dekadës së fundit.
Trump u ka kërkuar vazhdimisht mbështetësve të votojnë sikur edhe ai vetë të ishte kandidat në fletën e votimit. Një mesazh të cilin demokratët e kanë përqafuar, duke e kthyer presidentin në figurën kryesore të fushatës.

Trump optimist për rezultatin, premton ndërprerjen e financimit për Izraelin
Në një intervistë televizive të martën në mëngjes, Trump u shpreh optimist për rezultatin e republikanëve, duke përmendur si arritje të administratës së tij zhvillimet në Venezuelë dhe Iran. Ai tha se pret që rezultatet të jenë më të mira nga sa parashikojnë sondazhet dhe se do t’i ndjekë ato gjatë mbrëmjes në Shtëpinë e Bardhë, ku do të organizojë një pritje për të ndjekur zgjedhjet.
Gjatë intervistës, në një përpjekje për të fituar mbështetjen e votuesve që kundërshtojnë kryesisht mbështetjen amerikane për Izraelin, Trump deklaroi se Uashingtoni do të ndërpresë financimin vjetor prej 4 miliardë dollarësh për këtë vend pas përfundimit të këtij viti.
Politika amerikane ndaj Izraelit ka qenë një nga çështjet kryesore në shtetin e Miçiganit, ku kandidati progresist demokrat Abdul El-Sayed po zhvillon një garë të ndjekur nga afër për Senatin.
Që nga fillimi i tetorit, Trump ka zhvilluar më shumë se 20 mitingje elektorale për të mobilizuar mbështetësit e tij. Pjesa më e madhe e tyre janë mbajtur në shtete ku ai fitoi me lehtësi në zgjedhjet e vitit 2024, çka tregon se republikanët po përpiqen kryesisht të mbrojnë pozitat e tyre.
Trump dhe republikanët i kanë cilësuar kandidatët demokratë si radikalë, kundër interesave amerikane dhe madje komunistë. Gjatë një fjalimi në Uashington të hënën, presidenti deklaroi se Partia Demokratike ka propozuar kandidatët më ekstremistë dhe më të rrezikshëm në historinë e SHBA-së.
Megjithatë, sondazhet tregojnë se shqetësimi kryesor i votuesve mbetet kostoja e jetesës. Shumica e tyre nuk janë të kënaqur me mënyrën se si Trump po e trajton këtë çështje, veçanërisht pas politikës së gjerë tarifore dhe vendimit për të sulmuar Iranin në shkurt, të cilat kanë ndikuar në rritjen e kostove brenda vendit. Ndërkohë, kandidatët republikanë e kanë pasur të vështirë të distancohen nga presidenti, i cili kërkon besnikëri të plotë dhe rrallë pranon gabimet e tij.

435 vende në Dhomën e Përfaqësuesve dhe 35 në Senat në garë
Në këto zgjedhje janë në garë të 435 vendet e Dhomës së Përfaqësuesve dhe 35 nga 100 vendet e Senatit. Megjithatë, shumica e garave nuk konsiderohen të forta. Për të marrë shumicën në Dhomën e Përfaqësuesve, demokratët duhet të fitojnë të paktën tre vende më shumë, ndërsa për kontrollin e Senatit u nevojitet të fitojnë katër vende.
Demokratët kanë pak hapësirë për gabime, pasi duhet të mbrojnë të gjitha vendet që kanë aktualisht dhe njëkohësisht të fitojnë në të paktën dy shtete ku Trump fitoi me diferencë dyshifrore në vitin 2024. Mes tyre janë Alaska, Iowa, Kansas, Nebraska, Ohio, Karolina e Jugut dhe Teksasi. Sondazhet tregojnë se demokratët ose kryesojnë ngushtë, ose janë pranë kandidatëve republikanë në të gjitha këto shtete.
Miçigan, gara e fortë mes El-Sayed dhe Rogers
Një nga garat më të ndjekura është ajo në Miçigan, ku demokrati Abdul El-Sayed, 42 vjeç, përballet me republikanin dhe ish-anëtarin e Dhomës së Përfaqësuesve, Mike Rogers, 63 vjeç. Gara mori një zhvillim të papritur të dielën, kur demokratja Haley Stevens, e cila humbi ngushtë ndaj El-Sayed në zgjedhjet paraprake të partisë, njoftoi mbështetjen për kandidatin republikan.
Përveç ndikimit që mund të ketë në kontrollin e Senatit, kjo garë shihet edhe si një test për të kuptuar nëse sulmet e republikanëve ndaj identitetit të kandidatëve mund të ndikojnë te votuesit. El-Sayed mund të bëhet senatori i parë mysliman në historinë e Shteteve të Bashkuara. Fitorja e tij, duke qenë se ka kritikuar Izraelin dhe mbështet politika liberale si kujdesi shëndetësor universal, do të shihej gjithashtu si një shtysë për krahun e majtë të demokratëve përpara zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028.

Polemika në Alaskë, hetim për fushatën demokrate
Edhe gara në Alaskë është përfshirë nga polemika. Sipas një raportimi të gazetës “The New York Times”, fushata e kandidates demokrate Mary Peltola, 53 vjeçe, ka ndihmuar në gjetjen e një kandidati të tretë, i cili ka të njëjtin emër dhe mbiemër me kundërshtarin e saj republikan, Dan Sullivan, 61 vjeç. Peltola ka mohuar çdo përfshirje.
Departamenti i Drejtësisë i administratës Trump ka nisur një hetim penal për këto pretendime dhe ka ngritur një padi për të penguar certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve. Megjithatë, një gjykatës e rrëzoi këtë kërkesë.
Teksasi dhe Kansas, demokratët shpresojnë për fitore historike
Në Teksas, kandidati demokrat për Senatin, James Talarico, 37 vjeç, po përpiqet të fitojë një shtet që prej dekadash mbetet bastion i republikanëve. Kundërshtari i tij, prokurori i përgjithshëm republikan Ken Paxton, 63 vjeç, është përfshirë në disa skandale. Megjithatë, fushata e tij ka përfituar nga një investim prej qindra milionë dollarësh nga Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, i cili ka shpenzuar shuma të mëdha për të ndihmuar republikanët të ruajnë kontrollin e Kongresit.
Në Kansas, demokrati Adam Hamilton, 62 vjeç, pastor i një kishe të madhe, kryeson ngushtë në sondazhe ndaj senatorit republikan Roger Marshall, 66 vjeç. Ky rezultat shihet si një zhvillim i rëndësishëm, pasi Kansas votoi për Trumpin me më shumë se 16 pikë diferencë në vitin 2024 dhe nuk ka zgjedhur një senator demokrat prej afro një shekulli.
Ndërkohë, në shtetin e Maine, senatorja republikane Susan Collins, 73 vjeçe, synon të fitojë një mandat të gjashtë, pavarësisht prirjes së këtij shteti drejt demokratëve. Ajo përballet me demokratin Troy Jackson, 58 vjeç, ish-kryetar i Senatit të shtetit, i cili u bë kandidat pas tërheqjes së fermerit të gocave të detit Graham Platner. Ky i fundit u largua nga gara pas akuzave për sjellje të papërshtatshme, të cilat i ka mohuar.
Gara të tjera të rëndësishme për Senatin po zhvillohen në Iowa, Nebraska, Ohio dhe Karolinën e Jugut, ku vendet aktualisht mbahen nga republikanët.

Departamenti i Drejtësisë dërgon 1 mijë vëzhgues në të 50 shtetet
Në ditën e votimit, Departamenti i Drejtësisë njoftoi se do të dërgojë 1 mijë monitorues dhe vëzhgues në të 50 shtetet, duke e cilësuar këtë si operacionin më të madh të monitorimit të zgjedhjeve në historinë e vendit. Sipas zyrtarëve, vëmendje e veçantë do t’u kushtohet zonave ku më parë janë evidentuar probleme me aksesin e votuesve, si dhe shteteve ku zhvillohen gara të forta dhe ekziston rreziku i intimidimit të zgjedhësve.
Përplasja për kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve po zhvillohet kryesisht në zona ku republikanët kanë pasur mbështetje të fortë, përfshirë edhe disa distrikte ku Trump fitoi me diferencë të madhe në vitin 2024. Përpjekjet e republikanëve, të mbështetura nga Trump, për të ndryshuar kufijtë e distrikteve zgjedhore në disa shtete dhe për të krijuar avantazh për partinë, duket se nuk kanë dhënë rezultatet që priste Shtëpia e Bardhë.
Demokratët kanë paralajmëruar gjithashtu se Trump, i cili prej vitesh pretendon pa prova se zgjedhjet amerikane janë të manipuluara, mund të përpiqet të kundërshtojë rezultatet në rast se republikanët humbasin.












Botërori 2026 
