“I bën presion krerëve të degëve. Kuvendi do mblidhet për ta shkarkuar”

I rreshtuar tashmë në krah të lëvizjes së nisur nga lideri historik i demokratëve, deputeti Flamur Noka ka akuzar kryetarin e partisë, Lulzim Basha se po ushtron presion ndaj krerëve të degëve në rrethe për të sabotuar takimet që Sali Berisha ka nisur me anëtarësinë.

Në dalje nga selia blu, aty ku Basha vijoi takimet edhe këtë të enjte me disa prej drejtuesve të PD-së në rrethe, Noka e quajti këtë si veprim të turpshëm.

“Nga informacionet që kemi ka disa ditë që ka nisur një tur takimesh me drejtuesit e degëve, duke i thirrur këtu, duke i presionuar, duke u ushtruar shantazh për të mos hapur dyert për liderin historik të PD, për të bërë gjithçka për t’ia sabotuar takimet. Kjo nuk është thjesht e turpshme, kjo është e neveritshme. Tregon edhe panikun që e ka zënë kryetarin nga lëvizja e demokratëve. Ai e di shumë mirë që nuk përfaqëson shumicën, nuk përfaqëson vullnetin e demokratëve, është një pakicë e pakonsiderueshme brenda PD”.

Lulzim Bashës tha se gjatë takimit që kishte patur me anëtarët e Komisionit të Sigurisë pas seancës plenare ia kishte bërë të qartë se Kuvendi Kombëtar i Demokratëve do të mblidhet për të shkarkuar atë nga kryetar dhe aspak për vendimet e qeverisë amerikane.

“Kryetari duhet të kontrollojë artikulimin e tij sepse nuk mundet që lideri i opozitës të kapet pas të ashtuquajturit proamerikanizëm të kryetarit dhe të shpallë anëtarësinë antiamerikane. I bëra me dije se Kongresi i PD do të mblidhet dhe Kuvendi Kombëtar do të mblidhet dhe nuk mblidhet për të shqyrtuar asnjë vendim të SHBA por ky Kuvend do të mblidhet kundër Lulzim Bashës, kryetarit të PD i cili tashmë është minorancë, ilegjitim dhe nuk përfaqëson vullnetin e shumicës së anëtarëve të PD. I bëra me dije se ky nuk do të jetë Kuvend kundër SHBA-së por kundër tij”.

E pavarëisisht deklaratave të Lulzim Bashës, Noka tha se po vijon puna për mbledhjen e 1500 firmave për thirrjen e forumit më të lartë drejtues të demokratëve të paralajmëruar më herët nga Berisha.

“Gjithçka është një proces dhe askush nuk mund të ndalojë vullnetin e anëtarëve të PD për t’u shprehur. Zëri i çdo demokrati do të dëgjohet, vota e çdo demokrati duhet të lexohet”.

Ndonëse i rreshtuar hapur krah Berishës dhe retorikës së ashpër ndaj kryetarit të partisë, Noka nuk i druhet aspak një përjashtimi të mundshëm nga ana e Bashës. Ai tha se i vetmi njeri që sot gëzohet nga rrënimi që i ka bërë Basha Partise Demokratike, është Edi Rama.

Tv Klan