Ajo çka kishte mbetur nga helikopteri EC 145 i Forcave të Armatosura të rrëzuar katër ditë më parë në Liqenin e Shkodrës është e ngarkuar në këtë kamion të ushtrisë. Përpjekjet për ta nxjerrë në sipërfaqe me anë të jastëkëve të ajrit dështoi dhe për këtë arsye u përdor ky vinç për pesha të rënda.

helikopteri

Në këtë foto të siguruar nga Tv Klan duket helikopteri i sapo nxjerrë nga uji paraditen e së dielës. Më pas ai është mbuluar dhe forcat e rendit dhe ato të policisë ushtarake janë kujdesur që prej tij të mos humbasë asgjë gjatë rrugës.

Kamerat nuk janë të dëshiruara.

Helikopteri është dërguar paraprakisht në repartin e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë në Shkodër, pritet që ai të transportohet drejt Tiranës.

Çdo pjesë e nxjerrë nga liqeni dhe që i përket helikopterit do të merret në dorëzim nga prokuroria, pasi konsiderohet pjesë e hetimit për ngjarjen.

I gjithë operacioni i nxjerrjes së helikopterit është zhvilluar në fshehtësi të plotë nga kamerat dhe gazetarët të cilët janë mbajtur larg vendit të ngjarjes në një perimetër të vendosur 700 metra larg.

Në këtë operacion morën pjesë polumbarë të Policisë së Shtetit të forcave RENEA, dhe ata të Forcave të Armatosura.

Helikopteri ushtarak u rrëzua të mërkurën e 6 Prillit në rrethana ende të paqarta.

Për pasojë humbën jetën Kapiten Florian Deliaj dhe togeri Donald Hoxha, të cilët shoqëroheshin nga ushtari Gerald Baramuça, që mbeti i plagosur.

Tv Klan