Ai trajtohet me bonus qiraje nga shteti! Abas Berhani punon si roje shkolle

Kështu futen efektivët e Operacionit Forca e Ligjit në pronat e atyre që janë subjekt hetimi. Kështu kanë ndërhyrë edhe në këtë banesë në pronësi të Abas Berhanit në Krujë.

“Çfarë kam bërë unë që të më vijnë 6-7 policë tek dera. Nëse unë kam bërë, zotëri sill fletëthirrje, hajde tek policia e Krujës. Unë vij paraqitem tek komisariati, jo të më vijnë 6-7 policë tek dera e shtëpisë. Unë nuk jam kriminel lufte”.

Ka qenë i dënuar për vrasje me 30 vite heqje lirie. E ka shlyer dënimin dhe tani vijon jetën normalisht. E vetmja pasuri që ka është kjo shtëpi e trashëguar nga prindërit.

“Sot unë akuzohem që kam pasuri të madhe. Çfarë pasurie kam unë? Nëse këta duan të shtyjnë njerëzit me u vra, e ka vrarë me paramendim apo jo… Ku e di ti çfarë kam folur unë me hasmin? Unë hasmit mund t’i kem thënë kam vrarë me dashje, a pa dashje. Mund t’i kem thënë ndoshta e kam vrarë pa dashje. Tani do të më fusësh në vëllavrasje në këtë punë mua? Kjo është me shtyrë njerëzit me vrarë”.

Madje banesa e tij u dëmtua nga tërmeti i 26 Nëntorit dhe është në pritje të nisjes së procesit të rindërtimit. Thotë se gjatë kësaj periudhe nuk i kanë munguar ndihmat nga pushteti vendor.

“Shtëpia më ka dalë e pabanueshme. Kanë ardhur 3 komisione rresht, të fundit kanë ardhur edhe të huajt dhe këta e kanë nxjerrë të pabanueshme. Bashkia më ka paguar bonusin, nuk më kanë refuzuar asgjë, edhe ndihmë më thonin kur të duash hajde, edhe kanë sjellë tek shtëpi”.

Nuk është hera e parë që dërgesat e OFL janë kontradiktore. Janë të shumta kthimet që ka bërë Prokuroria e Posaçme, pasi sipas këtij institucioni, formularët e plotësuar janë të papërshtatshëm dhe pronarët nuk janë subjekt i ligjit.

Klan Plus