Vjedhja e fondeve që jep Brukseli nuk ndodh vetëm në shtetet ballkanike, por edhe në ato anëtare si Italia. Policia e Mesinës ka kryer një operacion të gjerë kundër mafias në Sicili, që kishte përvetësuar që nga viti 2013 rreth 10 milionë euro fonde të Bashkimit Evropian të destinuara për fermerët.

Në total janë arrestuar 94 persona, 48 janë dërguar në burg, të tjerët janë në arrest shtëpie. Mes të arrestuarve janë bosat e dy familjeve të mafias, një noter, sipërmarrës dhe administratorë publikë që kishin si detyrë të ndihmonin fermerët të kishin akses tek këto fonde.

Abuzuesit pretendonin në mënyrë të rreme se zotëronin ngastra toke që në të vërtetë ishin në pronësinë e rajonit dhe këshillave lokale, duke kanalizuar kështu në xhepat e vet fondet e BE.

Në mashtrimin, kanë luajtur rol punonjësit e një agjencie publike për pagesat bujqësore që shpërndan fondet e fermerëve dhe ata që punonin për qendrat e asistencës të ngritura për të ndihmuar fermerët në shfrytëzimin e këtyre fondeve.

Klan Plus