Çfarë do të ndodhë me turizmin në Shqipëri, përgjigjet Rama

Në këtë situatë të vështirë të shkaktuar nga koronavirusi, në pikëpyetje është edhe sezoni turistik në vendin tonë në muajt e verës.

Në një lidhje direkte në “Opinion”, kryeministri Edi Rama tha se do të kërkojë edhe pak kohë marrja e një vendimi, pasi do të shihet vijueshmëria e situatës.

“Marrja e këtij vendimi është një barrë e madhe por do ecim me kujdes, duke parë të tjerët dhe ne do bëjmë atë që mundemi, me forcat e skuadrës sonë që deri tani s’na kanë lënë në baltë”.

Rama tregon cilat biznese do të nisin të hapen javën tjetër

Kreu i qeverisë Edi Rama në një lidhje direkte për “Opinion”, deklaroi se duke filluar nga java që vjen dhe në vijim do të vihet në zbatim plani i hapjes së disa bizneseve.

Grupi i ekspertëve pranë qeverisë që po punon në këtë plan hapjeje, i ka ndarë bizneset në tre grupe risku, duke filluar nga ai me risk të ulët, mesëm dhe të lartë.

Hapja e bizneseve do të behet sipas kësaj kategorie me tre pika, ku fillimisht do të nisë hapja e aktiviteteve të grupuara me risk të ulët, e më pas ato me risk të mesëm dhe në fund ato me risk të lartë.

Rama u shpreh se ende po punohet, dhe se hapja e tyre do të shoqërohet fillimisht me informimin e bizneseve me masat e sigurisë dhe mbrojtjen që duhet të marrin, si dhe me masat administrative që do të vihen aty ku do të vërehen shkelje.

Rama dha vetëm disa shembuj për tre kategoritë, ku në kategorinë me risk të ulët listohen ndër të tjera, shitjet me pakicë në tregjet ushqimore dhe të rrobave, aktiviteti i taksive me një person, tregtia e luleve, kafshëve të shtëpisë,  bizhuteritë, bizneset e audio- video, lodrat për fëmijë në dyqane të specializuara, etj..

“Kjo është fasha e parë që duam ta hapim në ditët në vijim, por është e rëndësishme të hyjë në fuqi kodi penal se nuk bëhet lojëra me jetët e njerëzve”.

Ndërkaq në fashën e dytë të bizneseve me risk të mesëm futen: Transporti rrugor urban dhe ndërurban, tregtia me pakicë e mallrave të përdorur, artikuj në tregje, autoshkolla, shërbim shkollorë mbështetës.

Ato me risk të lartë që do të hapen të fundit janë: Qendrat estetike, ku sipas Ramës ka ende një debat mes grupit, restorantet që nuk kanë shërbim taksi, dhe lokalet.

“Ka një debat, është e vetmja pikë ku ka debat, janë këto estetiket… është i ndarë grupi i gjerë i punës, ju kërkoj ndjesë zonjave që janë në ankthin e mosndërhyrjes në pamjen e jashtme prej 40 e ca ditësh, po akoma nuk është zgjidhur…”/tvklan.al