#Opinion | Emision politik live nga #BlendiFevziu në #TvKlan

Të ftuar: Valbona Treska, Albano Bogdo, Irena Thona, Andi Andoni, Ina Kollcaku, Diola Dosti, Albatros Rexhaj

Albano Bogdo tregon rastin e pazakontë: 20 vjet me migrenë, por e vërteta ishte krejt ndryshe

Problemet e shëndetit mendor shoqërohen me shenja të cilat mund ngatërrohen. Ka raste që shqetësimi psikologjik shndërrohet në dhimbje fizike. Ky është edhe rasti që sjell në studion e “Opinion”, aktori Alban Bogdo. Ai tregon për rastin e pazakontë të një personi të afërt, që për 20 vjet mendonte se vuante nga migrena, por në fakt zbuloi se vuante nga depresioni. Mjekja psikiatre Irena Thona shpjegon se ky është depresion i maskuar.  

Irena Thona: Dhimbja psikosomatike, pra konvertimi ose shndërrimi i shqetësimit psikologjik, në ankesë fizike. Për shembull dhimbja që ka pasur Albano, ose rrahja e shpeshtë e zemrës ka qenë një simptomë fizike në fakt, por ajo ka qenë më origjinë psikogjene.

Alban Bogdo: Para 3 muajsh çova një personin tim shumë të afërt, që kishim 20 vjet që mendonim që vuante nga migrena, në fakt vuante nga depresioni. Kishte 20 vjet që i dhimbte nga koka dhe merrte ilaçe për dhimbjen e kokës, spondiliatrozën, për migrenën. Nuk ishte migrenë. Filloi antidepresantët dhe iu zhduk dhimbja për 4 ditë, të betohem, si magji.

Irena Thona: Është depresion i maskuar.

Më herët, aktori Bogdo rrëfeu problemet e tij që në adoleshencë me ankthin, që i shkaktonte rrahje të shpeshta të zemrës. Edhe mjekët mendonin se kishte probleme me zemrën, derisa zbuloi se në fakt nuk kishte probleme fizike, por probleme të shëndetit mendor.

Skicofrenia mund të shfaqet që në moshën 13-vjeçare, Mjekja Psikiatre: Nuk ka lidhje me psikopatinë

Një ndër sëmundjet më të rënda të shëndetit mendor është skicofrenia. Mjekja Psikiatre Irena Thona, e ftuar mbrëmjen e kësaj të mërkure në studion e “Opinion”, shpjegon se ajo që e bën më të rëndë këtë sëmundje është fakt që mund të shfaqet që në fëmijëri. Mjekja shpjegon se kjo sëmundje sjell çrregullime të mendimit, të perceptimit. Personat që vuajnë prej saj, perceptojnë diçka që nuk ekziston dhe shkëputen nga realiteti. Thona shpjegon po ashtu se skicofrenia dhe psikopatia janë dy gjëra të ndryshme.

Irena Thona: Skicofrenia është sëmundja më e rëndë që është në shëndetin mendor për faktin se ka një tendencë për të patur një fillim të hershëm, që mund të fillojë edhe në moshën 13-14 vjeçare. Sidomos rastet me fillim të hershëm kanë dhe ecurinë më të keqe, ka një lloj ashpërsie, ka tendencë për t’u bërë kronike. Prek 1 përqind të popullatës, por mund të jetë edhe më shumë. Përbën një nga sëmundjet që ka barrën më të rëndë të shoqërisë, sepse është një ndër 10 sëmundjet më të rënda me një barrë sociale dhe ekonomike për shoqërinë. Kjo për shkak të kronicizimit të sëmundjet dhe invalidizimit të personave që vuajnë nga kjo sëmundje. Shoqërohet me çrregullime të mendimit, të perceptimit, dëmtim të funksionimit. Çrregullime të percepsionit, do të thotë të perceptosh diçka që nuk ekziston, që nuk është reale, të mendosh diçka që nuk është reale. Pra të shkëputesh nga realiteti, prandaj quhet skicofreni, diçka që çahet ndërmjet vetes dhe realitetit.

Blendi Fevziu: Ka fjalë të ndryshme në Shqipëri që i përdori, skicofreni, psikopati.

Irena Thona: Jo janë të ndryshme. Psikopatia ka të bëjë më çrregullime të personalitetit. Dhe kryesisht me çrregullime të personalitetit antisocial. Përgjithësisht personat antisocial, në përgjithësi thyerjen e rregullave, ligjin, ligjet e shoqërisë, janë ata që gjenden të izoluar dhe nëpër burgje. Janë përgjithësisht personat me personalitet antisocial. Personaliteti nuk ka lidhje me skicofreninë. Por ka një gjë që ata që sëmuren nga skicofrenia kanë një personalitet premorbid ndryshe nga personat e tjerë. Në kuptimin që mund të kenë tipare personaliteti karakteristike, ose që të çojnë drejt skicofrenisë.

Albano Bogdo: 1 e 86 i gjatë, shkova 69 kg. E kam pasur kofshën sa…

Aktori i njohur Albano Bogdo ka rrëfyer mbrëmjen e sotme në “Opinion” në Tv Klan problemet e tij me depresionin. Teksa në studio u diskutua lidhja që ekziston mes çrregullimeve të shëndetit mendor dhe ndryshimeve ekstreme në ushqyerje, Bogdo tha se e ka vuajtur një gjë të tillë fiks para dy vitesh.

Aktori u shpreh se pa ndryshuar dietën, sasinë e ushqimit dhe në mënyrë të pashpjegueshme, humbi shumë kilogramë brenda 3 muajve.

Albano Bogdo: Unë kam gjithë këto vite që marr ilaçe për depresionin. Para dy vjetësh, pa asnjë lloj arsye, pa e ndryshuar aspak dietën, sasinë.

Blendi Fevziu: As mjekimin?

Albano Bogdo: As mjekimin. Sinqerisht, e kam pasur kofshën sa ka dorën zonja. U bëra 69 kilogramë, 1 e 86 i gjatë. Pa asnjë lloj arsye për tre muaj. Analizat dilnin të gjitha shkëlqyer. Haja njësoj, pija njësoj…

Blendi Fevziu: Dhe vetëm dobësoheshe ë?

Albano Bogdo: Dhe pastaj papritur, filloja merrja veten pa asnjë lloj arsye. Pa e shtuar ushqimin, pa ndryshuar asgjë.

“Më renditën për pushkatim”, Albatros Rexhaj tregon problemet me shëndetin mendor

Albatros Rexhaj ishte i ftuar këtë të mërkurë në “Opinion” ku tregoi eksperiencën e tij për problemet me shëndetin mendor. Ai u shpreh se vuan nga çrregullimi i stresit post-traumatik (PTSD).  Rexhaj tha se kjo i ka ardhur si pasojë e përvojës në luftën e Kosovës. Shkrimtari shtoi se ai ka qenë i renditur për pushkatim dhe këtë gjë e ka “shtypur” për 17 vite derisa ajo gjeti rrugën dhe doli në sipërfaqe. Rexhaj u shpreh se ka ardhur në emision që të shprehë përvojën e tij që t’u tregojë njerëzve me probleme të tilla që është në rregull për të ndjekur historinë dhe për të gjetur se çfarë problemi kanë.

“Tek rasti im unë e kam identifikuar, ka ardhur nga fakti nga përvoja nga lufta. Çdo i dytë, i tretë në Kosovë, bashkëndjen me atë gjë. Unë kam qenë i renditur për pushkatim. Kjo është një gjë që nuk e kam folur shumë, e kam shtypur si gjë derisa pas 17 viteve ajo e ka gjetur rrugën dhe ka dalë në sipërfaqe. Traumat vjen një moment ku ajo del. Ai njeri që ka ato probleme nuk ka këto përgjigje. Unë kam ardhur në këtë emision vetëm për këtë gjë, që është në rregull me dal dhe me e ndjek historinë, me e ndjek fillin, me e gjet. Sepse unë kam pasur pafund faktorë stresi që e kanë nxitur atë. Sot është lufta në Ukrainë. Kur ka nisur lufta në Ukrainë kam ndenjur deri në 06:00 të mëngjesit duke dëgjuar lajme dhe gjysma e Prishtinës është zgjuar në këmbë kur ka rënë vetëtima e madhe se menduan filloi lufta”, u shpreh Rexhaj.

Albatros Rexha: Në 2015 u paraqita te klinika në Prishtinë, kisha pagjumësi dhe ankth

Tema e diskutimit sonte në “Opinion” në Tv Klan ka të bëjë me shëndetin mendor. I ftuar në studio, Albatros Rexha rrëfeu eksperiencën e tij personale me probleme të shëndetit mendor. Ai tha se në vitin 2015 është vizituar në një klinikë në Prishtinë pasi kishte pagjumësi dhe ankth.

Sipas Rexhës, ajo lloj gjendjeje psikologjike zhduket ose trajtohet vetëm në momentin që arrin të njohësh faktorët që e shkaktojnë.

Blendi Fevziu: Ke qenë ndonjëherë në spital ti vërtet?

Albatros Rexha: Po mo pse jo? Nuk ka asgjë të turpshme.

Blendi Fevziu: Tallesh me mua apo e ke seriozisht?

Albatros Rexha: S’po tallem, në 2015-ën ka qenë situata kur u futa te ajo klinika në Prishtinë QKUK, ata mjekët më shikonin kështu…

Blendi Fevziu: Po çfarë kishe Albatros?!

Albatros Rexha: Pagjumësi, ankth…

Blendi Fevziu: Filluan papritur?

Albatros Rexha: Nuk ishte papritur, por në momentin kur ja pranon vetvetes të duket se të ka ardhur dje. U vizitova, ndoqa këshillën e një kolegut tim dhe unë si tip sfidues u paraqita te klinika. Ai psikiatri më tha gëzohem që ke ardhur sepse kolegët e tu shkojnë në Greqi, Turqi.

Blendi Fevziu: Është e çuditshme që kjo gjë është turp në Shqipëri. Duke dalë në Shqipëri për këto reportazhet që bënim, shumë njerëz na thonin se njerëz me probleme i mbanin të mbyllur në fshat, familja jetonte në qytet dhe i linin vetëm, që të mos binin në sy. Kjo është e tmerrshme! Sa kohë u mjekove?

Albatros Rexha: Është trajtim, zgjat. Kam identifikuar faktorët e stresit, kemi një përvojë që e ka nxit të gjithën. Faktorët i kemi kudo, në shtëpi, rrugë, punë.

Albano Bogdo flet hapur për problemet me shëndetin mendor: Kam ikur nga shfaqjet prej sulmeve të panikut, bëhesha shumë keq

Këtë të mërkurë në studion e emisionit “Opinion” u fol për shëndetin mendor. I ftuar ishte aktori i njohur i “Klanifornia”, Albano Bogdo, i cili tregoi eksperiencën e tij. Ai u shpreh se ka vuajtur nga ankthi në adoleshencë, por mjekët në Sarandë, atje ku është rritur, nuk e identifikonin dot se çfarë kishte. Më pas, Bogdo tregoi se erdhi në Tiranë ku vuante nga sulmet e panikut. Ai tregoi se në disa shfaqje nuk ka marrë pjesë si pasojë e panikut.

“Unë kam vuajtur nga ankthi që në adoleshencën e hershme. Nuk e di, kisha ankth pa shkak, duke ndenjur në mësim ose në shtëpi. Më rriteshin të rrahurat e zemrës, mbushesha me djersë të ftohta. Më dukej sikur do vdisja. Nga mosdija si unë, si doktorët që kanë qenë në Sarandë, shkonim në spitale më bënin analiza zemre, tiroide. Më çonin në qorrsokak se nuk dinin çfarë të thonin. Më masnin të rrahurat e zemrës se i kisha 140-150 më thonin s’janë normale. Kur erdha në Tiranë prapë e njëjta gjë. Sëmuresha, shkoja tek doktori i zemrës. Derisa një ditë më çuan me zor në një psikolog. Me zor në kuptimin që i thosha nuk kam gjë nga mendja, e kam te zemra. Nuk kishte lidhje me turpin. Fola me atë psikologen ishte femër, më bëri më keq. Më dha ca kështu bimore… Unë në këtë kohë kisha kaluar në çrregullime paniku. Nuk kisha më ankth. Kishte filluar të më zinte paniku, bëhesha shumë keq. Punoja tek Apartamenti 2XL atëherë, 3-4 herë kam ikur nga shfaqja sa do fillonte shfaqja. Sa më anonçohej emri, unë isha Albano Bogdo, unë nuk dilja në skenë, dilja nga godina, ikja fare, ikja në spital. Aq shumë keq bëhesha. Shkoja në spital, i kisha të rrahurat e zemrës 160-170. Tensionin shumë të lartë. Vazhdonin prapë më vizitonin për zemrën… Nga  zemra s’kam asgjë”, tha Bogdo.

Albano Bogdo u shpreh se sëmundjen ia zbuloi një farmaciste. Pas kësaj, tha se ka shkuar menjëherë për t’u vizituar, ku psikiatria i ka thënë se nga çfarë sëmundje vuante.

“Një farmaciste. Kam qenë në shtëpi, ka qenë verë. Një farmaciste padashje sepse kishte të bijën që vuante të njëjtën gjë. Më tha, ti ke panik, duhet të shkosh në një psikiatër. I kam hipur taksisë menjëherë, kam shkuar tek “Pesa”, nuk e vrisja mendjen. Kam qenë aq keq saqë nuk e vrisja mendjen. Le të thonin jo është i çmendur… Psikiatria më dha një kokërr sa të qetësohesha për atë natë. U qetësova, u vizitova. Mu duk sikur u shërova nja 3 muaj. Vazhdoi prapë, të rikthehet”, tha Bogdo./tvklan.al