Zgjedhjet parlamentare të së Dielës në vendin tonë “ishin konkurruese, por u zhvilluan në një klimë tejet të polarizuar”. Me këtë konstatim e nisën konferencën e tyre drejtuesit e misionit të vëzhguesve ndërkombëtar të kryesuar nga OSBE/ODIHR, ku prezantuan edhe gjetjet e raportit paraprak të zgjedhjeve të 11 Majit.

“Zgjedhjet e 2025-ës ishin konkurruese dhe u zhvilluan në mënyrë profesionale, por ndodhën në një klimë tejet të polarizuar. Zgjedhësve nuk iu dha shansi të dëgjonin shkëmbimin e ideve politike, pasi fushata u fokusua në sulme armiqësore dhe personale nga drejtuesit e dy partive kryesore” u shpreh koordinatorja e vëzhguesve të OSBE-së Farah Karimi.


Më tej raporti evidenton se kandidatët patën mundësi të bënin fushatë në mënyrë të lirshme, por jo në mundësi të barbarta.

Partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve administrative gjatë fushatës duke krijuar kështu një avantazh të padrejtë për ata në pushtet, përfshirë faljen e një numri të madh gjobash pak ditë para zgjedhjeve”, shtoi ajo.

Sa i përkret ditës së zgjedhjeve, vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë se ajo ishte e qetë, por u shoqërua me incidente.

“Dita e zgjedhjeve ishte kryesisht e qetë dhe e organizuar mirë, megjithatë pati vazhdimisht mos respektim të procedurave dhe u shoqërua me disa incidente intimidimi.”

Pyetjes nëse zgjedhjet e parlamentare të së Dielës i plotësuan standardet ndërkombëtare, kreu i misionit të ODIHR iu përgjigj kështu:

“Mënyra se si ne operojmë është se ne nuk bëjmë një vlerësim të përgjithshëm në raport me standardet ndërkombëtare. Nuk është një situatë bardh e zi, ka disa hije, nuanca. Ka fusha ku standardet janë më të larta, ka fusha ku ka nevojë për përmirësim, kjo sa i përket standardeve”, tha Lamberto Zannier.

Por kreu i delegacionit të vëzhguesve të Parlamentit Europian shuan çdo dyshim mbi standardet e zgjedhjeve, teksa kërkon krijimin e institucioneve të reja.

“Ne presim që qeveria të konstituohet në vjeshtë në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe parlamenti i ri miratoi legjislacion të ri dhe të zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR”, shtoi Michael Gahler.

Vëzhguesit vlerësuan si pozitive punën e SPAK në hetimin e krimeve zgjedhore dhe në mënyrë të veçantë ngritjen e një task-force të përbashkët mes kësaj strukture, Prokurorisë së Përgjithshme dhe KQZ-së.

Tv Klan