Paralajmërimi nga ish-kryeministri Davutoglu

Partia e Recep Tayyip Erdoganit është në prag të përçarjes së madhe, që mund t’i rrezikojë atij edhe pushtetin. Paralajmërimin e bën ish-Kryeministri Ahmet Davutoglu, krahut të djathtë të Erdoganit deri në vitin 2016, kur u shpalos plani për shndërrimin e Turqisë në Republikë Presidenciale.

Në një intervistë për “Financial Times”, Davutoglu thotë se ajo që po shkatërron partinë për Drejtësi dhe Zhvillim është fryma autoritariste që ka futur vitet e fundit Erdogani. Pasojë e kësaj, sipas tij është edhe humbja në Stamboll e Ankara në zgjedhjet lokale. Davutoglu kritikon Erdoganin për burgosjet e gazetarëve dhe shtypjen e fjalës së lirë. Ai shprehet edhe kundër burgosjes së politikanit pro-kurd Selahatin Dermitas.

Akademiku 60-vjeçar që ka mbajtur postin e ministrit të Jashtëm, konsiderohej edhe si arkitekti i politikës së jashtme të Turqisë dhe si këshilltari më i besuar i Erdoganit. Më herët gjatë këtij muaji, edhe ish-ministri i Ekonomisë Ali Babacan u largua nga partia pas mosmarrëveshjeve me Presidentin, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që këto figura të bashkohen në një lëvizje të re politike, që mund të shkaktojë rrjedhje të konsiderueshme elektorati nga partia e Erdoganit.

Tv Klan