Adi Haxhiymeri: Situata jo e qëndrueshme, mund të ketë sërish rritje të çmimeve

Prodhimi i pakët i grurit për shkak të problemeve atmosferike në Rusi dhe Kanada si eksportueset më të mëdha të këtij produkti, shkaktoi rritje të çmimit të bukës dhe prodhimeve të miellit.

Ajo e cila i dha ndoshta goditjen finale, ishin të korrat e fundit të cilat përfundua në Korrik dhe kështu kur të gjithë prisnin që çmimi i grurit të binte, ai u rrit jashtëzakonisht shumë. Kjo erdhi kryesisht për arsye të faktorëve atmosferikë, sidomos ato shtete ku janë edhe eksportuesit kryesorë të grurit në botë që është Rusia, pastaj Amerika, Kanadaja, Australia. Nga 220 dollarë toni që ishte vitin e kaluar në Tetor, tani është rreth 350 dollarë toni”, tha Adi Haxhiymeri.

Rendiment të ulët ka patur edhe gruri i fortë i cili shërben si lëndë e parë për prodhimin e makaronave, çka do të ndikojë edhe te shtrenjtimi i këtyre të fundit.

“Për prodhimin e makaronave situata është edhe më e rëndë sepse shtetet bazë që tregtojnë këtë grurë janë Kanadaja dhe Franca në zonën e poshtme. Kanadaja prodhoi rreth 3.5 milionë tonë më pak nga 6.5 që prodhon zakonisht, pra rreth 50% më pak. Shteti kryesor në prodhimin e makaronave, por edhe eksportin, Italia është në kolaps total sepse ka edhe kontrata, ndërkohë lëndën e parë e ka 100% më shtrenjtë.

Aktualisht shqiptarët po e blejnë bukën apo produkte të tjera të miellit me 10 lekë më shumë, por në javët në vijim situata mund të përkeqësohet më tej.

“Rritja është vetëm 10% sepse aq ishte edhe rritja e grurit në momentet e fundit përveç rritjes së parë. Për sa i përket të ardhmes, kontratat nuk janë premtuese, të gjithë kontratat që na ofrohen janë me çmime më të larta, megjithatë do të presim, nuk kemi pse të flasim përpara kohe”.

Autoriteti i Konkurrencës është vënë në lëvizje pas rritjes së çmimit të bukës në treg, ndaj ky institucion bëri të ditur se do të dalë me një vendim nëse prodhuesit kryesorë të miellit në vend po abuzojnë me çmimet.

Klan News