“Shikojini këto grumbuj mbetjesh. Janë në Tiranë, në një prej lagjeve më të njohura, në Ali Dem. Kështu është thuajse i gjithë qyteti, me plehra që kanë mbushur trotuaret, sepse kazanët nuk pastrohen për ditë me radhë. Kompania Eco Tirana, që ka fituar tenderin e pastrimit për 85 vjet, e ka lënë kryeqytetin në këtë gjendje që shihni. Ndërsa bashkia reagon vetëm kur sheh denoncime nëpër media”, raporton gazetarja e Tv Klan, Gerta Vasku.
Asnjëherë më parë Tirana nuk ka qenë kaq e pistë në dekadën e fundit. Plastikë, mbetje të ndryshme ushqimore dhe inerte janë të hedhura nëpër trotuare, pasi kazanët janë të mbushur plot ose janë të prishur. Për banorët, niveli i pisllëkut ka arritur kulmin.
“Me muaj e me vite rrinë këtu. Është tmerr i vërtetë. Jo vetëm këtu, por gjithë Tirana është e qelbët. Qelbet shtëpia, të shikosh në rrugica në Ali Dem, era e plehrave vjen, duhet të vësh dorën para, të mbyt era”, thotë një qytetar.
Duhet të kalojnë ditë që ndonjë makinë pastrimi të kalojë për t’i marrë.
“Plehrat i ka bashkia, nuk i heqin. Këto kanë të paktën pesë ditë pa i hequr. Hoqën ca që ishin lart, këto i lanë. Ne kalojmë këtu, vjen era plehra, ngado që të shkojmë, era plehra. Bashkia për këtë punë është. Ne i paguajmë taksat, derisa i paguajmë duhet të hiqen edhe plehrat”, shprehet një qytetar.
“Nuk është mirë, e dinë ata që duhet t’i heqin. Apo nuk është verë, miza, mushkonja”, thotë një tjetër.
Qytetarët pohojnë se ankohen çdo ditë në bashki, por nuk kanë gjetur zgjidhje.
“Kanë nja dy muaj që s’e pastrojnë. Dhe atje te fusha gjithë plehra është. Do vijmë, do vijmë thonë, ja ku janë aty, të mbyt era. Të vijë kamioni, t’i mbledhë e t’i heqë. Vjen era e qelbur”, shton një tjetër.
Qytetarët dhe bizneset paguajnë taksa për pastrimin, por situata e menaxhimit të mbetjeve ka ardhur duke u përkeqësuar. Tenderi i pastrimit i është dhënë kompanisë Eco Tirana. Por teksa fitimet e kësaj kompanie rriten nga viti në vit, me 16 milionë xhiro vitin e kaluar dhe 22 milionë këtë vit, mbetjet po e kthejnë edhe njëherë kryeqytetin në vitet ’90.
Televizioni Klan pyeti sërish pranë Bashkisë së Tiranës për situatën e krijuar, por nuk mori asnjë përgjigje.
Tv Klan
/tvklan.al












Botërori 2026 