Kryeministri Rama: Mirënjohje për çdo mësues në çdo krahinë të Shqipërisë dhe në diasporë

Kryefjala e kësaj ditë janë mësuesit, ndaj dhe politika ka zhvilluar një sërë aktivitetesh dhe kanë shprehur mirënjohjen për mësuesit. Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, mirëpriti në ambientet e Institucionit të Presidentit mësues në pension, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në arsimin shqiptar. Presidenti shprehu mirënjohje për punën e tyre.

Bajram Begaj: Ju do mbaheni mend gjithmonë si krenari dhe heronj të shoqërisë tonë. Veçse me shumë keqardhje konstatoj se para viteve ’90 ishte nder dhe privilegj të ishe pjesë e studimeve për t’u bërë mësues, ndërsa sot kemi shumë pak për t’u bërë pjesë e arsimit.

Kryeministri Rama dhe Ministrja Manastirliu urojnë mësuesit për 7 Mars me “Himnin e Mësuesit”, duke shprehur mirënjohja për brezat e arsimtarëve.

“Gëzuar 7 Marsin me “Himnin e Mësuesit”, kënduar nga nxënësit e shkollave të Tiranës dhe kori i Liceut Artistik, me mirënjohjen më të thellë dhe respekt për mësuesit e çdo krahine të Shqipërisë, të trojeve ku flitet shqip dhe diasporë”.

Në këtë 7 Mars, u përurua shkolla 9-vjeçare “26 Nëntori” në Tiranë, e cila u rindërtua pas tërmetit falë programit “EU4Schools”, financuar nga Bashkimi Europian, qeveria shqiptare dhe PNUD.  Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj shprehu mirënjohjen mësuesve për kontributin dhe rolin e tyre të pazëvendësueshëm në edukimin e brezit të ri.

“Nëse ne e kishim detyrën deri këtu te infrastruktura fizike, tani ia kalojmë stafetën, sa bukur, në këtë 7 mars, atyre që luftojnë injorancën edhe apatinë, mësuesve. Kështu që, i urojmë shumë sukses mësuesve tanë, jemi shumë krenar për ju”.

Rreth 570 nxënës të shkollës “26 Nëntori” e cila u dëmtua nga tërmeti i 2019-ës, do të mund të studiojnë në mjediset më të sigurta, moderne dhe bashkëkohore, të pajisura me laboratorë mësimorë dhe terrene sportive.

Klan News