Shtetet anëtare të BE-së nuk kanë humbur kohë, por u mblodhën në kryeqytetin danez Kopenhagen për t’u marrë me migracionin ilegal me fokusin kryesor modelin Rama-Meloni. Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e Brendshëm nga Danimarka, Holanda, Suedia, Austria dhe Shqipëria.

Pjesë e diskutimeve ishte edhe përcaktimi i vendeve të treta të sigurta, të cilat do të bashkëpunojnë në luftën e mëtejshme kundër kontrabandës së qenieve njerëzore.

Ylva Johansson, komisionere për migracionin në BE: Lufta kundër kontrabandistëve është pjesa më e rëndësishme, për t’u siguruar që të mos shohim humbje më tragjike të jetëve. Kjo është arsyeja pse unë nisa këtë aleancë globale për të luftuar kontrabandën e emigrantëve. Dhe kjo është arsyeja pse unë futa legjislacion të ri në këtë fushë. Gjëja tjetër e rëndësishme që duhet të bëjmë është të përshpejtojmë migrimin legal. Ne jemi një shoqëri e moshuar në Evropë. Ne kemi nevojë për emigrantë, por ata duhet të vijnë te ne rregullisht.

Komisionerja Johansson tha se mezi presin që të shohin se si do të funksionojë kjo marrëveshje mes Italisë dhe Shqipërisë.

Ylva Johansson, komisionere për migracionin në BE: Plani është që personat e shpëtuar të merren në ujërat ndërkombëtare dhe jo në ujërat italiane dhe të sillen në qendrat e pritjes në Shqipëri. Aty do të mund të bëjnë kërkesat e tyre për azil, të cilat më pas do të trajtohen nga autoritetet italiane sipas ligjit italian. Nëse do të kenë të drejtë azili, do të sillen në Itali. Pra, ky është plani. Pra, le të shohim se si do të funksionojë kjo marrëveshje. Mendoj se për momentin kjo është një rrugë shumë specifike për Italinë.

Danimarka është nga një ndër shtetet e para që ka paktin Meloni-Rama si një model për t’u ndjekur nga vendet e tjera të BE-së.

Emigrantët që përpiqen të arrijnë në BE do të transferohen në vende të treta të përzgjedhura përpara se të arrijnë në brigjet evropiane. Plani përfshin zhvendosjen në vende të treta jashtë BE-së edhe për ata që janë tashmë në një vend anëtar, por nuk u është dhënë azil.

Klan News