Projekti i kompleksit të ri sportiv të Akademisë së Futbollit Dyrrah City, të Manchester City, që do të ndërtohet në zonën e Spitallës, në Durrës u prezantua në një ceremoni në ambientet e Kryeministrisë. Gjatë ceremonisë u shfaqën edhe pesë trofetë e fituar në sezonin historik 2022-2023.

Trofetë e Champions League, Premier League, FA Cup, FIFA World Cup, Superkupa UEFA do të jenë në Shqipëri në datat 16-19 prill. Kryeministri Edi Rama u shpreh se në këtë kampus do të mblidhet ajka e talentit që ka vendi ynë. Kreu i ekzekutivit tregoi edhe një tjetër projekt ambicioz, afrimin e akademisë të ikonës spanjolle të tenisit, Rafael Nadal.

“Përpos këtij projekti, shumë shpejt do sjellim edhe Akademinë e Rafa Nadal, akademi tenisi e cila shpresoj se do i bashkëngjitet kampusit.”

Edhe presidenti i FSHF Armand Duka shprehu entuziazmin për këtë projekt.

“Unë kam shumë besim që do bëhet vërtet një vepër arti.”

Për ministren e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu, vendi do ketë qendrën më të veçantë sportive në rajon. Kompleksi i ri sportiv do të jetë ndër më modernët në rajon, me 8 fusha sportive, palestra, qendra fizioterapie, ambiente multifunksionale, hapësira rezidenciale, ku do të zbulohen, formohen dhe promovohen talentet e reja të futbollit.

Klan News