Thirrjet me mesazhe politike të tifozëve serb kundër Kosovës kanë sjellë reagimin e Federatës së futbollit. Federata Kosovare e Futbollit është ankuar në UEFA për shkak të shfaqjes së flamujve, sloganeve dhe thirrjeve të tifozëve serbë me mesazhe politike.

Përmes thirrjeve të tilla dëshmohet urrejtja e mbjellë në opinionin publik në Serbi ndaj fqinjve të saj. Federata Kosovare e Futbollit në ankesën e paraqitur me dëshmitë e nevojshme në UEFA, ka kërkuar masa të rrepta disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Serbisë.

Thirrjet kundër shtetit të Kosovës në një event madhor si Euro 2024 janë motivim për grupet nacionaliste dhe kërcënojnë sigurinë e rajonit.

Federata e Futbollit të Kosovës qëndron fuqishëm në mbrojtje të vlerave të futbollit dhe promovimit të asaj që UEFA përfaqëson: unitet, gjithpërfshirje dhe pasion për lojën e futbollit, por njëherësh me vendosmëri mbron edhe dinjitetin e shtetit, që është krijuar me shumë mund e sakrificë.

Futbolli dhe eventet e tilla si Euro 2024 nuk duhet t’u shërbejnë shovinistëve e racistëve për promovim të gjuhës së urrejtjes, thuhet në reagimin e Federatës kosovare. Tashmë topi kalon në fushën e UEFA-s, që pritet të marrë masa të ashpra për federatën dhe tifozët serb.

Klan News