Taksat e larta në vendin tonë po varfërojnë qytetarët dhe dëmtojnë bizneset, sipas ish-kryeministrit Sali Berisha. Në prezantimin e programit ekonomik me të cilin do të garojë në zgjedhjet e 2025, Berisha premtoi ulje të taksave dhe një reformë të thelluar në sistemin fiskal.

“Ne jemi parti e taksave të ulëta, të guxojmë të prekin tabutë. Në tabu është TVSH-ja, jam për një ulje prej 25% të nivelit aktual të saj. Një treg dinamik është në vetvete një promotor i sigurt i rritjes ekonomike.”

Programi i PD përfshin uljen e taksave për karburantin si dhe implementimin e tatimit 10% mbi të ardhurat. Për Berishën ulja e taksave përveç se do të lehtësojë jetesën e qytetarëve, do të tërheqë edhe investime të huaja në vendin tonë.

“Konkurrenca e ndershme është kushti i të gjitha kushteve për të tërhequr investimet e huaja. Garancia juridike është e një rëndësie të madhe. Sot kjo garanci mungon, është 0!”

Qeverinë e akuzoi për vjedhjen e taksave të qytetarëve dhe për favorizim të personave pranë kryeministrit Edi Rama.

“Një vjedhje gjigande, një piramidë gjigande vjedhjeje! Investimet të diktuara ku mund të vjedhë më shumë, ka informalitet të tmerrshëm.”

Një tjetër objektiv i PD është dhe anulimi i koncesioneve të cilat konsiderohen nga opozita si afera korruptive.

Klan News