Balla: Prova të reja për vrasjet. Dosja duhet të merret nga SPAK, hetim dhe Berishës

PS do të depozitojë në organet e drejtësië një kallëzim të ri për vrasjen e 4 qytetarëve në protestën e 21 Janarit të vitit 2011. Kryetari i Grupit Parlamentar i PS, Taulant Balla tha se janë zbuluar prova të reja që sipas tij, vërtetojnë se këto vrasje janë shtetërore.

“Gazetari Artan Hoxha ka publikuar një provë të re materiale që mbështet deklarimet e Sali Berishës dhe provon katërcipërisht se kush janë urdhëruesit dhe autorët e vërtetë të këtyre vrasjeve. Këto vrasje që u morën 4 më të mirëve nga ne dhe morën shpirtin e protestës. Prova e re materiale flet vetë, ajo është një audio e regjistruar nga komunikimi përmes radiove të Gardës së Republikës në 20 Janar 2011.”

Balla kërkoi që Prokuroria e Tiranës të shpallë moskompetencë për dosjen e 21 Janarit dhe se kjo çështje duhet  të hetohet nga SPAK.

“Më 27 Korrik 2022 në konsultim dhe me familjarët dhe avokatët kemi hartuar një kërkesë tjetër, ku kemi kërkuar shpalljen e moskompetencës së Prokurorisë së Tiranës për këtë dosje penale dhe kalimin te SPAK.

Balla kërkoi hetimin e ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Nga ajo që dëgjohet nga regjistrimi i radiove provohet terësisht se komandanti i gardës Ndre Prendi ka urdhëruar vrasjet, madje ai ka zgjedhur dhe kush duhet të qëllonte duke iu drejtuar me emër dy gardistëve. Ai ka dhënë urdhër duke qenë vetë një i urdhëruar. Berisha zhduku serverin e kamerave të kryeministrisë duke u gdhirë 22 Janari, por kjo nuk e fsheh dot krimin.”

Më 21 Janar socialistët përkujtuan 12-vjetorin e vrasjes së katër protestuesve para kryeministrisë, duke deklaruar se nuk kanë hequr dorë nga puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes nga drejtësia.

Klan News