Mediat e huaja kanë publikuar bisedat e fundit të kullës së kontrollit dhe pilotit të avionit që u rrëzua në Pakistan. Në bisedën mes tyre në radio, dëgjohet piloti teksa i shpreh kullës së kontrollit shqetësimin për daljen jashtë funksionit të dy motorëve.

Aeroplani Airbus A320 me 99 pasagjerë në bord ishte nisur nga qyteti Lahore dhe do të ulej në aeroportin e Karaçit. Pak para uljes në aeroport, avioni u rrëzua në një zonë të banuar. Një kamera amatore ka filmuar momentet e fundit të rrëzimit të aeroplanit. Sipas mediave pakistaneze, deri tani janë nxjerrë të vdekur nga rrënojat 41 persona, por numri pritet të rritet. Ndërkohë, tre pasagjerë kanë shpëtuar mrekullisht.

Nga komunikimet në radio, piloti u përpoq të ulte avionin pasi raportoi se dy motorët nuk funksiononin. Kulla i dha leje të ulej në njërën nga dy pistat e aeroportit.

Dymbëdhjetë sekonda më vonë, piloti lëshoi një tjetër sinjal emergjence. Pas këtij momenti nuk pati tjetër komunikim, ndërsa dëshmitarët thanë se para rrëzimit, aeroplani përplasi një antenë të telefonisë celulare.

Zëdhënësi i “Pakistan Airlines” e konsideroi ngjarjen një aksident tragjik, ndërsa shtoi se komunikimi i fundit që kishin me pilotin ishte kur ai raportoi për problem teknik. /tvklan.al