Qeveria ndërmerr një tjetër hap që lehtëson pajisjen e shtetasve me letërnjoftimet e reja. Kryetari i qeverise Sali Berisha pas një vlerësimi pozitiv që i bëri ecurisë së këtij procesi, lajmëroi ngritjen e një task-force nën drejtimin  e zëvendës  kryeministri Pollo, si masë që e përshpejton atë.

Sali Berisha: “Një taks-forcë që do të krijohet sot vetëm për këtë çështje e kryesuar nga zëvendës kryeministri do të parashikojë lehtësim për transportin e fshatrave që ndodhen larg nga qendra e komunës të organizuar. Qendrat e aplikimit do të jenë të hapura të shtuna dhe të diela, kryetarët e komunave, këshillat e komunave. Të përcaktojë edhe krijimin e lehtësirave të transportit me autobus , por edhe kur janë lagje  të shkëputura edhe me mikrobuza. Pra ne ti krijojmë mundësi të aplikojë çdo qytetari shqiptar.”

Jo për herë të parë kryeministri ftoi qytetarët të pajisen me letërnjoftimet e reja.  Këtu kreu i qeverisë citoi dy arsye të rëndësishme pse ata duhet ti përgjigjen kësaj thirrje.  E para  lidhet me pjesëmarrjen në zgjedhje me dokumenta të sigurta ndërsa e dyta si dëshmi e angazhimit të përgjithshëm për zgjedhje me standarde përpara vendeve anëtare të NATO-s dhe BE-së.

Sali Berisha: “Duke marrë letërnjoftimin firmos për një infrastrukturë moderne të zgjedhjeve.”

Por duket se procesi ka lidhje të fortë dhe me lëvizjen pa viza. Pajisja e qytetarëve me dokumenta të sigurta renditet si kusht kryesor për  lëvizjen lirisht në zonën Shengen.

Sali Berisha: “Ne jemi në një proces vlerësimi, pro dua t’ju rikujtoj se jemi në proces rivlerësimi me vendet të cilat kanë 6 apo 7 vite që janë të pajisura me dokumenta elektronike. Nuk duhet të pretendojë në asnjë rrethanë që të na jepet ajo që nuk meritojmë. Duhet gjithnjë të bëjmë detyrat tona, të pajisemi me dokumenta që përbën kjo absolutisht premisën më të madhe sepse reforma tjera janë bërë sepse krimi i organizuar është luftuar me efikasitet të madh, sepse kontrolli i integruar i kufijve është realizuar plotësisht. Të mos mendojmë ne se kur të dëgjojë ministri i jashtëm i një vendi  se ne nuk i kemi dokumentat do mund të thotë po, jo nuk thotë.”

Mbledhja  e qeverise u parapri nga një ceremoni e ngritjes së flamurit të NATO-s, në selinë qendrore të këshillit të ministrave.

Kjo pason ceremoninë e zhvilluar të martën në Bruksel, ku kryeministri Berisha dhe ministri i jashtëm Basha u ftuan të asistojnë në momentin historik të ngritjes së flamurit shqiptar përkrah vendeve anëtare të NATO-s. 

Edhe në Tiranë kryeministri ripërsëriti vendosmërinë e qeverisë që drejton për të konsoliduar vlerat dhe parimet mbi të cilat është ngritur kjo aleancë e madhe ushtarake.

Sali Berisha: “Do të votojmë çdo ligj, do të marrim çdo vendim, do të programojmë çdo reformë dhe ne shqiptarët do të ndodhemi gjithnjë në lartësinë e flamurit tonë kombëtar, në lartësinë e flamurit të NATO-s, flamurit të lirisë.”

Kryeministri Berisha nënvizoi me mirënjohje të thellë kontributin e vendeve anëtare, veçanërisht Shteteve të Bashkuara të cilët falë besimit të treguar  mundësuan anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në NATO./tvklan.al

Gazetare: Menada Zaimi