Pas 5 Qershorit Kryeministri paralajmëron penalizime

Kryeministri ju ka dhënë vetëm 1 javë kohë të gjithë punëdhënësve që ende nuk e kanë kryer detyrimin e tyre, të aplikojnë pranë Tatimeve në mënyrë që punonjësit të mund të përfitojnë pagesën prej 40 mijë Lekësh për periudhën që nuk kanë qenë në punë për shkak të masave anti-covid.

“Keni 1 javë kohë, deri në 5 Qershor, të plotësoni online formularin me të dhënat e individëve përfitues në sipërmarrjet tuaj, në të kundërt penalizimi për mosaplikim për cënimin e hapur të së drejtës së punonjësve tuaj, do të jetë i pashmangshëm”.

Duke ju kërkuar ndjesë kësaj kategori punonjësish, Rama shpjegon se ju është përsëritur disa herë ky apel punëdhënësve të tyre por pa u vendosur gjoba por i siguron se kjo situatë do të marrë fund.

“Kjo situatë do të marrë fund brenda datës 5 Qershor dhe në rast se tatimpaguesi ku ju jeni/keni qenë të punësuar, nuk do të aplikojë brenda deri në 5 Qershor për ju, pagesa për ndihmën financiare do të kryhet menjëherë në llogarinë tuaj, në mënyrë automatike dhe punëdhënësi përkatës do të ndëshkohet. Unë them atë që bëj dhe bëj atë që them dhe askush, asnjë, nuk do të mbetet pa marrë atë që i takon, me ligj e me zakon”.

Sipas administratës, janë 109 mijë e 664 që kanë përfituar nga paketa e zgjeruar e qeverisë.

Tv Klan